Termet raciste shqetësojnë komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian

“Gjylë, magjupja, bum çiçek-çiçek” , kjo frazë u dëgjua përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në show-n thuajse më të ndjekur tash për tash “Big Brother VIP Kosova”.

Thirrja e tillë raciste u komentua në media mjaft shumë, edhe pse ky nuk është rasti i parë. Reagime të ashpra pati nga përfaqësuesit e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

LEXO EDHE KETE

Rasti i 11 vjeçares: Aktakuzë ndaj tetë personave për dhunimin e saj në muajin qershor

Përfaqësuesja e komunitetit Ashkali në Kuvendin Komunal Ferizaj, Pakize Bujani në një prononcim për Insajderin tha se përdorimi i termeve raciste ka filluar të përdoret lirshëm në media.

Sipas saj, mos kontrollimi i përmbajtjeve mediatike e dëmton demokracinë, integrimin shoqërorë dhe multietnicitetin.

“Sot, përdorimi i termit “racizëm”, nuk ka të bëjë vetëm me një përkufizim të vetëm, andaj kohët e fundit më e keqja është që terminologjit ofenduese ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian po shfaqet lirshëm edhe në aspektin medial, në emisione të ndryshme ku as nuk kontrollohet nga askush përdorimi i fjalës publike, andaj kjo po e dëmton demokracinë, integrimin shoqëror dhe multietnicitetin që është pasuri e vendit tonë”, tha Bujani.

Bujani tha se si shoqëri, duhet të bëhet heqja e termeve të tilla, dhe solidarizimi me njëri-tjetrin pa kultivuar shoqëri raciste dhe antivlera demokratike.

Ajo shtoi se ofendimet e tilla duhet të ndërpriten menjëherë në media sepse emisione të tilla janë degjeneruese për shoqërinë.

“Këto ofendime në baza etnike që kanë ndodhur kohët e fundit, në aspektin medial duhet të ndërpriten menjëherë sepse disa emisione janë degjenerim dhe ofendim për shoqërinë. Diskriminimi, racizmi dhe gjuha e urrejtjes duhet të luftohet nga të gjithë ne si nga institucionet dhe si nga shoqëria, ne kemi nevojë për paqe me njëri-tjetrin, kemi nevoj të solidarizohemi dhe ofrojmë ndihmë njëri-tjetrit e jo të krijojm e kultivojmë shoqëri raciste e antivlera demokratike, sepse ne si vend kemi vuajtur mjaftë, dhe ja tani ja kurrë është koha që duhet të mësohemi një herë e përgjithmon të respektojm njëri-tjetrin. Pakize Bujani”, shtoi ajo për fund.

Edhe nënkryetari i komunës së Istogut për komunitete, Valmir Rama tha për Insajderin se përdorimi i termeve raciste është në rritje në televizione.

Rama tha se duke dëgjuar shpesh ato terme, bëhet edhe normalizimi i përdorimit të tyre në baza ditore.

“Shprehjet raciste, janë në rritje në televizione dhe çka është më e keqja këtë e shohin e dëgjojnë të gjithë dhe mendojnë se është normale me i thanë dikujt max*up”, tha Rama.

Ai shtoi se ka mënyra që këto të ndërpriten duke nisur nga mesazhet sensibilizuese dhe orët e veçanta rreth kësaj teme në shkolla.

“Mënyra ka shumë duke u nisur me ndonjë mesazh senzibilizues kundër racizmit në të gjitha televizionet. Por, gjithashtu edhe orë të veçanta në shkolla”, potencoi ai.

Përkitazi me këtë, kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, drejtori i mediumit Klan Kosova, ku edhe ka si produkt show-n “BBVK”, Adriatik Kelmendi ka reaguar për këtë temë.

Ai ka thënë se, duke e ditur që banorët e këtij spektakli televiziv janë drejtpërdrejtë 24 orë nganjëherë mund të përdorin edhe fjalë ose shprehje të tilla ofenduese paqëllimshëm.

“Për fund, mund te themi edhe diçka. Ne të gjithë e dimë se banorët janë live 24 brenda shtëpisë dhe nganjëherë mund të përdorin edhe ndonjë fjalë dhe shprehje, e cila paqëllimshëm mund të fyej ose ofendojë ndonjë individ ose grup të caktuar shoqëror. Kjo ka ndodhur me shprehjen “maxhup” nga një banore. Big Brother menjëherë ua ka tërhequr vërejtjen, kurse ne si produksion kërkojmë ndjesë për rastin. Faleminderit për mirëkuptim”,ka shkruar Kelmendi në një postim në Instagram./Botapress.info/

ngjashme