[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Tahir Ahmeti: Të evitohet greva e zjarrëfikësve   



Është krejtësisht e pashpjegueshme gjendja, respektivisht mostrajtimi adekuat dhe serioz i këtij mekanzimi tepër domethënës. Nuk guxojmë të rrezikojmë me këtë institucion të rëndësishëm. As nuk duhet të detyrohen zjarrëfikësit të hynë në grevë

 

Shkruan: Tahir Ahmeti

 

Zjarrëfikësit në Kosovë duhet të merren seriozisht. Jo vetëm kur bëjnë grevë ose kur detyrohen të kërcënojnë me grevë. Por, duhet qasje institucionale ndaj këtij mekanzimi aq të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve dhe pronës së tyre.

Duhet gjetur zgjidhjet për statusin, për kushtet e punës, për pajisjet e punës, kompenzimet e nevojshme, sikurse edhe standardizimin e koeficientëve në nivel komunash.

Kur ndodh ndonjë fatkeqësi, të gjithë gëzohemi qysh në momentin e parë që shohim uniformat dhe makinat e zjarrëfikësve. Ata rrezikojnë jetën e tyre jo vetëm për shkak të profesionit, por edhe për shkak të mungesave të mëdha në pajisje dhe teknikë të domosdoshme, ndërsa institucionet e shtetit të Kosovës i harrojnë gjatë tërë kohës.

Është krejtësisht e pashpjegueshme gjendja, respektivisht mostrajtimi adekuat dhe serioz i këtij mekanzimi tepër domethënës. Një prej institucioneve të rëndësishme në sigurinë e Kosovës, Shërbimi i Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit ka mbetur për vite të tëra jo vetëm i anashkaluar, por fatkeqësisht i patrajtuar as profesionalisht, as teknikisht, as ligjërisht.

Që nga greva e fundit e vitit 2014 deri te kërkesat e vitit 2016, nuk ka lëvizur pothuajse asgjë as në përmbajtje dhe as në çështje praktike të përditshme.

Greva e paralajmëruar e zjarrëfikësve është ritheksuar në pjesën e dytë të dhjetorit 2016. Përmes një adresimi zyrtar publik, Sindikata e Zjarrëfikësve të Kosovës ka renditur sërish kërkesat drejtuar institucioneve të shtetit të Kosovës.

Tashmë, është e qartë se cilat janë kërkesat. Por, sa janë të rëndësishme ato?

Së pari, të rregullohet statusi juridik.

Sigurisht se qartësia juridike e këtij institucioni është jo vetëm e nevojshme, por nuk ka asnjë kuptim që të mos rregullohet. Të paktën dy herë është ndryshuar korniza ligjore, porse nuk është bërë zgjidhje adekuate për këtë.

Së dyti, të definohen kompetencat menaxhuese.

Shërbimi i Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, në praktikë, ka mbetur as në nivelin në qendror dhe as në nivelin lokal. Pavarësisht se cila ka qenë ideja, ky Shërbim nuk ka realisht adresë të saktë menaxhuese dhe një situatë e tillë është konfuze jo vetëm për Shërbimin, por edhe për institucionet dhe publikun.

Së treti, të përmirësohen kushtet e punës dhe të sigurohen pajisje për punë.

Se kushtet e zjarrëfikësve shpëtues janë në nivel krejtësisht të keq, këtu nuk ka dilema për askënd që profesionalisht apo praktikisht merret me këtë fushë. Nuk duhet të rrezikohet jeta dhe shëndeti i zjarrëfikësve, duke mos i përmirësuar kushtet dhe pajisjet elementare për punën e tyre. Është urgjente gjetja e modelit buxhetor për këtë. Madje, është një vonesë e pakuptueshme.

Së katërti, të kompenzohen ndrrimet e natës, orët jasht orarit, fesat shtetërore dhe fetare.

Këtu duhet të ekzistojë parimi i njëjtë me institucionet tjera publike në Kosovë. Edhe me institucionet tjera të sigurisë, edhe me ato të sektorëve tjerë. Ashtu sikurse e përcakton Ligji i Punës dhe ligjet tjera, në këtë çështje nuk duhet të ndodh diskriminim dhe padrejtësi.

Së pesti, të harmonizohen koeficientët në nivel komunash.

Saktësisht. Zjarrëfikësit shpëtues nuk duhet të dallohen nga komuna në komunë, sikurse po ndodh vazhdimisht. Kanë të njëjtat përgjegjësi, të njëjtat detyra dhe të njëjtat rreziqe. Nuk është as e drejtë dhe as praktike që komunat të kenë qasje të ndryshme në aspektin e koeficientëve të tyre.

Përgjithësisht, institucionet e Kosovës duhet që të qartësojnë shpejt dhe saktë zgjidhjen e kërkesave të zjarrëfikësve shpëtues. Problemet evidente të grumbulluara me vite të tëra, sigurisht se shkaktojnë indinjatë dhe revoltë te kjo kategori e të punësuarve.

Nuk guxojmë të rrezikojmë me këtë institucion të rëndësishëm. As nuk duhet të detyrohen zjarrëfikësit të hynë në grevë.

 

(Autori është njohës i fushës së emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC)