Opinionisti dhe gazetari, Valon Syla, ka komentuar dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, duke thënë se ai ka qenë njeri më kompetent në Qeverinë e Kosovës për fushën dhe sektorin e tij.
Në një shkrim në Facebook, Syla ka thënë se njerëzit e mençur dhe të zot po e braktisin Vetëvendosjen. Ai tutje ka thënë se kjoështë shenjë që po tregon dobësim serioz të Albin Kurtit.
“Njeri më kompetent në Qeverinë e Kosovës për fushën dhe sektorin e tij, Dukagjin Pupovci, paska dhënë dorëheqje. Njerëzit e mençur dhe të zot po e braktisin Vetëvendosjen. Kjo është shenjë që po tregon dobësim serioz të Albin Kurtit”, ka shkruar Syla.
Dukagjin Pupovci ka konfirmuar raportimet e Metros se ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit.
Pupovci për Gazetën tha se dorëheqjen e tij ia ka komunikuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministrit Albin Kurti që nga muaji tetor.
Ai tha se arsyet e dorëheqjes janë personale, ndërsa dorëheqjen formale nuk e ka paraqitur akoma.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, tha Pupovci. /Botapress.info/