[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Suspendohet gjykatësja deçanase, Safete Tolaj



Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtaren Safete Tolaj nga pozita e përgjegjëses së degës së Gjyjatës në Deçan, pas hulumtimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” për mito në Gjykatën e Deçanit.

Lajmin për suspendimin e gjykatëses e konfirmoi kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.

Idrizi tha se Tolaj është suspenduar vetëm nga pozita e përgjegjëses së degës së gjykatës, ndërsa një komision i KGJK-së do të vendosë për pozitën e saj si gjyqtare.

Vendimi i KGJK-së erdhi pas publikimit të një hulumtimi në dy vazhdime nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” në të cilin janë dhënë pamje të djalit të saj duke kërkuar dhe duke marrë mito nga një qytetar për përshpejtimin e një rasti në gjykatën e Deçanit të cilin e trajtonte gjykatësja Tolaj.

Një ditë pas publikimit të promos së emisionit, javën e kaluar, policia dhe prokuroria arrestuan Safete dhe Fisnik Tolajn, i cili gjendet në paraburgim./Kallxo