Sipas një studimi, vetëm një dozë e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” ose “Pfizer” e pakëson rrezikun për infektim me koronavirus për gati dy të tretat dhe i mbron të moshuarit e personat e ndjeshëm aq sa të rinjtë dhe njerëzit e shëndoshë.
Rezultatet nga studimi i Universitetit të Oksfordit dhe Zyrës për Statistika Kombëtare janë shtytje e mirëpritur për programin e vaksinimit dhe janë të parat që e tregojnë ndikimin në infektimet e reja dhe reagimin imunitar në një grup të madh të personave të rritur.
Duke e ulur shkallën e infeksionit, vaksinat jo vetëm që do t’i parandalojnë hospitalizimet dhe vdekjet, por gjithashtu do të ndihmojnë në shkëputjen e zinxhirëve të transmisionit dhe kështu do ta pakësojnë rrezikun nga përhapja e re e virusit në kohën kur Britania po i lehtëson masat kufizuese, shkruan The Guardian.
Hulumtuesit i analizuan rezultatet e testimit për Covid-19 nga më shumë se 350 mijë njerëz në Britani nga dhjetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti. Ata zbuluan se 21 ditë pas marrjes së dozës së parë, infeksionet e reja ranë për 65 për qind.
Vaksinat ishin më efektive kundër rasteve me simptoma sesa rasteve pa simptoma, duke e ulur shkallën e infeksionit për 72 për qind tek të parat dhe 57 për qind tek të fundit në krahasim me popullsinë që nuk ishte vaksinuar.
Doza e dytë e vaksinës së kompanisë “Pfizer” e shtoi edhe më shumë mbrojtjen nga virusi, duke bërë që rastet me simptoma të shënojnë rënie për 90 për qind dhe rastet pa simptoma për 70 për qind./Botapress/