[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Studentët e UP’së, imazhi pozitiv i Kosovës në botë



Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po tregojnë rezultate pozitive duke marrë pjesë në garat ndërkombëtare që po mbahen në vende të ndryshme të botës.

 
Së fundi disa prej tyre kanë marrë pjesë në “Garën ndërkombëtare në fushën e të drejtës ndërkombëtare komerciale dhe arbitrazhit”, garë e cila është mbajtur në Vjenë ku marrin pjesë 350 Universitete, UP-ja ka hyrë në rundet finale, në Top 32-she duke lënë mbrapa rreth 330 universitete.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Haxhi Gashi, ka thënë se është një lajm shumë i jashtë zakonshëm për UP-në dhe për Kosovën. “Kjo arritje është për UP-në dhe është një tregues që UP-ja është në rrugën e duhur. Merita u takon studentëve dhe profesorëve për këtë arritje. Kësaj radhe na ka mbështetur USAID-it. Kjo arritje na ka gëzuar”, ka thënë ai sot në televizionin publik të Kosovës

Sipas tij kjo është një e mirë që nga reth 350 universiteteve pjesëmarrës në këtë garë, studentët e UP-së, të jenë ndër më të mirët në mesin e rreth 3000 studentëve.

Ai ka thënë se duhet të ketë më shumë fonde për UP-në. “Këta janë ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe të UP-së në botë”, ka thënë Gashi.

Edhe profesoresha Donikë Qerimi ka bërë me dije se koha e përgatitjes për këtë garë është 8 deri në 9 muaj. “Kushti kryesor për aplikim për këtë garë është gjuha angleze. Neve na interesojnë që studentët të jenë aktiv. Nuk merremi shumë me notën mesatare. Ne i zgjedhim studentët më të mirë”, ka thënë ajo. Sipas saj gara është industri në vete. “Gara është shumë e madhe. Kemi marrë lëvdata të jashtëzakonshme nga profesorët”, ka thënë ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës

Kurse studentja Gentrita Bajrami, ka vlerësuar se ekipi nga Kosova, ka pasur elementin e surprizës. “Ne kemi befasuar ata”, ka thënë ajo.

Ndërsa studenti Klit Shala, ka thënë se pjesëmarrja në këtë garë është një arritje. Sipas tij edhe pse si studentë të UP-së, kanë mungesë të literaturës, kanë arritje në këtë garë.