[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Stacioni i Policisë në Ferizaj, prezanton punën e sukseshme një vjeçare



Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me bashkëpunëtoret e tij, drejtues të Gjykatës, Prokurorisë, përfaqësues të institucioneve shëndetësorë, përfaqësues të fshatrave si dhe mysafirë të tjerë, gjatë ditës së sotme kanë marr pjesë në përmbledhjen vjetore të punës së Stacionit të Policisë në Ferizaj.

Me këtë rast komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Qazim Reka, ka prezantuar në detaje statistikat që ka policia për vitin e kaluar. U tha se mbi 73 për qind të rasteve është arritur të zbulohen, ndërkaq gjatë vitit që lame pas në Komunën e Ferizajt ishte vetëm një vrasje.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se përmbledhja vjetore e punës, paraqet një rast të mirë në mënyrë që secili të sheh vetën, punën dhe angazhimin tona, dhe të bëjmë edhe krahasime mes viteve paraprake.

“Unë kam kënaqësinë ta përshëndes Policinë e Kosovës në Ferizaj, punën e saj të suksesshme dhe besimin e patundur se kjo është polici e jona, misioni kryesor i së cilës është mbrojtja e jetës, e pasurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Më mirë se askush tjetër, ne banorët e Ferizajt dhe të Kosovës e dimë se çfarë do të thotë siguria e qytetarëve. Sepse e kemi jetuar një kohë kur nuk kemi pasur asnjë siguri as për jetën, as për pasurinë, as për dinjitetin tonë. Ndaj, sot do të duhej ta çmonim edhe këtë dimension të jetës sonë të përditshme, ta nderojmë dhe ta ndihmojmë punën e policisë sonë”, është shprehur kryetari Svarqa, duke theksuar se ta ndihmosh punën e Policisë së Kosovës, është detyrë dhe obligim i secilit qytetar, sepse asnjë polici në botë nuk mund të jetë e suksesshme pa mbështetjen e popullatës. Madje, kjo mbështetje është thelbi i suksesit në zbulimin e veprave të paligjshme.

“Luftimi i krimit dhe i veprimtarive të ndaluara, nuk mund të bëhet pa mbështetje të gjerë nga popullata. Ndaj, u bëj thirrje edhe një herë ferizajasve, që ta mbështesin policinë, në luftimin e krimit dhe të dukurive negative, të sillen me respekt ndaj pjesëtarëve të policisë dhe t’i ndihmojnë ata në kryerjen e detyrave, sepse interesi është i përbashkët: krijimi i kushteve sa më të sigurta për jetesë e për punë. Për mua është me shumë rëndësi fakti që Policia e Kosovës është njëri nga institucionet më të besueshme në mesin e popullatës. Ky besim sigurisht është inkurajim për një angazhim edhe më të madh drejt realizimit të synimeve dhe objektivave të përbashkëta. Policia e Kosovës edhe gjatë vitit të fundit për pushtetin lokal të Ferizajt ka qenë faktori kryesor i sigurisë dhe partneri më i madh në këtë aspekt. Nuk ka munguar bashkëpunimi i gjithanshëm dhe gatishmëria për të bashkëvepruar sa herë ka qenë e nevojshme, për një efikasitet më të lartë”, ka thënë kryetari Muharrem Svarqa.

Të pranishmit në këtë përmbledhje vjetore të punës së Stacionit të Policisë në Ferizaj, i ka përshëndetur edhe nënkolonel Gazmend Hoxha drejtor i Policisë Rajonale të Ferizajt.

Drejtues të Stacionit të Policisë në Ferizaj, kanë ndarë mirënjohje për policitë më të suksesshëm të vitit të kaluar, si dhe me mirënjohje ka falënderuar të gjithë ata që kanë bashkëpunuar.

Fotografia e Komuna Ferizaj