[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

S’po shiten!



Vite më parë, thuajse në çdo afat kalimtar, futbollistë të dalluar të Superligës së Kosovës të paktën shkonin në prova nëpër klube të huaja. Kurse kohëve të fundit lojtarët nga Kosova nuk po arrijnë as të testohen nëpër klube evropiane e lëre më të shiten. Mungesa e menaxherëve nuk është arsyeja numër 1. Ekspertët thonë se në Kosovë nuk punohet siç duhet me lojtarë, të cilët në kohët ideale për t’u përgatitur fizikisht dhe për t’u zhvilluar ngecin gjithnjë e më shumë

Viteve të fundit futbolli kosovar ka prodhuar pak, të mos themi fare, futbollistë për jashtë, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubet nuk kanë arritur t’i dërgojnë as në prova e lëre më të shesin futbollistë jashtë vendit në 2-3 vjetët e fundit, për dallim prej viteve të mëhershme apo edhe prej viteve të para të pasluftës kur nuk ishin të paktë lojtarët që transferoheshin në ekipe evropiane, duke bërë karrierë, siç ishin Dallku, Curri, Llumnica e shumë të tjerë.

Cilësia e futbollit kosovar ka numëruar në vend viteve të fundit dhe klubet e huaja nuk kanë shprehur interes për ndonjë futbollist nga vendi ynë.

Maksimumi që kanë mundur të bënin futbollistët e këtushëm ishte transferimi në Shqipëri, prej nga shpresonin se mund të depërtojnë më lehtë në Evropë.

Nexhmedin Haxhiu njihet si menaxheri që ka dërguar jashtë më së shumti futbollistë kosovarë pasluftës. Kohëve të fundit, ai është tërhequr paksa nga ky zanat dhe intensiteti i shkuarjes së lojtarëve jashtë vendit ka rënë.

Ai insiston se mungojnë menaxherët adekuatë për dërgimin e lojtarëve jashtë vendit, ndërkohë që po mendon të rikthehet në këtë profesion pas një pauze.

“Në Kosovë ka talente, por nuk po ka kush t’i dërgojë jashtë vendit. Mungojnë njerëzit profesionalë të kësaj fushe. Lojtarët duhet t’i përcjellësh gjatë e jo dje për sot”, thotë fillimisht “Nexhi” për “Zërin”.

Ai e ka edhe një këshillë për futbollistët që duan të dalin për të luajtur jashtë vendit.

“Duhet të punojnë sa më shumë në aspektin fizik, pasi në këtë drejtim nuk janë në nivel me kolegët e tyre jashtë vendit. Thuajse gjithmonë kur kam dërguar lojtarë jashtë vendit kanë pasur probleme me përgatitje fizike. Ky ka qenë problemi më i madh”, vazhdoi ai.

Sipas Haxhiut, futbollistët që synojnë të dalin jashtë vendit duhet të jenë mes 18-20 vjeç, e cila është mosha ideale.

“Kush i kalon 21-22 vjet s’mund të transferohet jashtë pasi është vonë. Unë po mendoj të kthehem në këtë zeje, të cilën e kam lënë anash viteve të fundit pasi lojtarët s’po ka kush i nxjerr jashtë vendit. Mendoj se Shqipëria është mundësia ideale për të shkuar fillimisht, për të dalë pastaj jashtë vendit më lehtë”, përfundoi Haxhiu, i cili njëherësh është edhe kryetar i klubit të futbollit Trepça, ku është fokusuar më shumë viteve të fundit.

Sejdiu: Mungon puna me talente

Trajneri Gani Sejdiu ka punuar gjatë në futbollin kosovar dhe e di fort mirë shkakun se përse Kosova nuk po eksporton futbollistë jashtë vendit.

Mitrovicasi thekson se problemi kryesor është se nuk punohet sa duhet me talente, të cilët, insiston ai, janë të shumtë, por që stagnojnë në momentin kur vjen koha të kalojnë në ekipet e të rriturve.

“Është e vërtetuar se talenti në Kosovë nuk mungon dhe ky është elementi kyç. Mirëpo, problemi më i madh është se nuk po ka kushte për zhvillimin e tyre. Secila moshë i ka kërkesat dhe specifikat e veta. Nëse gjatë rrugëtimit nuk punohet në mënyrë adekuate, lojtarët kur të kalojnë në kategorinë e seniorëve vijnë me defekte, me mangësi”, thekson ai për gazetën.

“Mangësitë më të mëdha janë ato të aspektit teknik dhe taktik. Lojtarët nuk kanë faj, pasi ne nuk jemi në gjendje t’ju krijojmë kushte adekuate. Duhet të investohet më shumë në futboll dhe me siguri se mund të eksportojmë lojtarë. Deri në moshën 14-vjeçare ata janë të barabartë në cilësi me moshatarët e tyre jashtë vendit. Por, më pas fillon ajo ngecja për shkak të mungesës së kushteve dhe punës jo të duhur me ta”, vazhdoi Sejdiu.

Atë e brengos fakti se janë shuar disa gjenerata për shkak të izolimit dhe mungesës së mundësisë për ta treguar veten jashtë vendit.

Ai shpreson se pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA do t’ia shohin hairin gjeneratat e reja, të cilët mund të përfitojnë nga prania në vendin tonë e skautëve apo menaxherëve të huaj.

Sidoqoftë, viteve të fundit si në krejt sferat tjera Kosova importon shumë e eksporton pak edhe në futboll.