Një grup i specializantëve do të protestojnë gjatë së enjtes para Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas organizatorëve protesta vjen ngase Komisioni për Buxhet dhe Financa ua ka refuzuar pagesat për kujdestari.
Dinora Mehmeti, përfaqësuese e specializantëve të Klinikës së Dermatologjisë, tha se kërkesat e tyre do t’i shqyrtojnë deri në pikën e fundit.
“Do të vazhdojmë me protestat në vijim, ne do ta ndjekim rrugën tonë deri pikën e fundit, për arsye se jemi çdo ditë këtu deri në përfundimin e specializimit që është hiq më pak se pesë vite”, tha ajo.
Ajo njoftoi se kanë bërë një kërkesë si paralajmërim për protestë që do të mbahet të enjten nga ora 09:00 para Ministriasë së Shëndetësisë.
“Nëse nuk kemi përgjigje pozitive ndaj kësaj proteste, gjithashtu do të vazhdojmë deri në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës”, shtoi ajo.
Edhe Flamur Lahu, përfaqësuese i specializantëve të Radiologjisë, në një prononcim për Ekonomia Online tha se specializantët tash e sa kohë janë duke kërkuar të drejtat e tyre.
“Ne kemi katër kërkesa kryesore. E para, kalimi i kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt, çështja e dytë është çështja e kujdestarive dhe dy të tjera janë Ligji i Pagave dhe çështja e ndryshim plotësimit të udhëzimit administrativ për shkollim specialistik që i bën të mundur këto kërkesa që ne po i kërkojmë”, tha ai.
Lahu thekson se nga muaji korrik është ndërprerë pagesa për kujdestari gjatë vikendeve dhe një gjë të tillë sipas tij, është e padrejtë.
“Unë si mjek i ri i Kosovës i bëj thirrje qeverisë, të gjitha organeve kompetente dhe relevante që çështjen e mjekësisë dhe veçanërisht shkollimit të kuadrove mjekësore ta marrin si prioritet nacional të shkallës së parë”.
Përfaqësuesi i specializantëve të Radiologjisë thotë se një mjek detyrohet t’i mbajë dy ose tre vende të punës në mënyrë që të siguroj familjen.
“Fatkeqësisht kërkesa jonë për amendamenti nga Komisioni për Buxhet dhe Financa është refuzuar, por ne nuk do të ndalemi në kërkesat tona të cilat janë të drejta, janë legjitime dhe janë absolutisht të mundshme me u zbatuar”.