Ministri i FSK-së, Armend Mehaj, ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me njësitë e specializuara të forcave në terren.
Ai ka thënë se Kompania e Specializuar për Detektimin e Materieve të Rrezikshme është duke bërë analizat kimike dhe biologjike të mostrave të ujit.
Tutje ai ka treguar se po bëhet vlerësimi i përgjithshëm i i situatës në qytetin e Decanit.
Ai thotë se këto aksione do të vazhdojnë 24 orë në ditë deri në momentin kur të kthehet gjendja normale.
“Krahas këtij aktiviteti, Kompania për Operacione Civile është angazhuar në vlerësimin e përgjithshëm të situatës së krijuar. Gjithashtu kemi dërguar oficerin ndërlidhës i cili do të jetë pjesë e Shtabit Emergjent në Komunën e Deçanit. Njësitet tona vazhdojnë operacionet dhe në bazë të vlerësimit të situatës, nëse shfaqet nevoja, do të aktivizojmë edhe njësitet tjera me resurset njerëzore profesionale me flotën e automjeteve dhe pajiset e specializuara. Operacionet tona zhvillohen pa ndërprerje 24 orë në 7 ditë të javës dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë deri në tejkalimin e situatës emergjente dhe rikthimin e gjendjes normale. Ky është Misioni ynë! Kjo është Detyra jonë!”, shtoi ai./Botapress/