[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Spanja – Kosova LIVE: Përfundon pjesa e parë



Kosova e luan sonte ndeshjen e dytë të fazës kualifikuese për Kampionatin Botëror. Në “Estadio La Cartuja de Sevilla” Spanja e pret Kosovën në takimin e parë mes tyre. Kosova dhe Spanja bëjnë pjesë në Grupin B kualifikues për Botërorin 2022.

Gazeta do t’iu mbajë të informuar në kohë reale me çdo gjë rreth kësaj ndeshje.

Mbyllet pjesa e parë. Kosova po mposhtet 0:2 nga Spanja.

39′ Ujkani bën një pritje fantastike. E shpëton Kosovën nga pranimi i golit të tretë.

36′ Dy minuta, dy gola. Spanja shënon sërish. Ferran Torres shënon pas një goditje të bukur.

34′ Spanja kalon në epërsi. Dani Olmo me një goditje shumë të saktë e lë fjetur Samir Ujkanin.

31′ Portieri Simon bëri dalje të pa menduar mirë, por Rashica për pak nuk arrin të përfitojë.

30′ Ferran Torres u nis drejt portës së Kosovës, por goditja e tij ishte e plogësht dhe e pasaktë.

28′ Arbër Zeneli dhe Lirim Kastrati fillojnë të ngrohen. Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Bernard Challandes për zëvendësimet.

26′ Një ndërhyrje e Kolollit në Torres tensionoi pak situatën, teksa dy lojtarët filluan fjalosjen.

22′ Super Samir Ujkani. Alvaro Morata kalon bukur duke iu shmangur Dresevicit dhe gjendet ballë për ballë me Ujkanin, por portieri i Kosovës bën një tjetër pritje të madhe.

19′ Rashica tenton depërtimin, por ndalet nga mbrojtësit spanjollë.

16′ Tollovi në zonën e Kosovës, Dresevic bën ndërhyrje decizive.

15′ Kanë kaluar 15 minuta të ndeshjes, Spanja ka iniciativën deri më tash.

8′ Alba pranon një top nga Koke në anën e majtë duke u vënë ballë për ballë me portierin, por kapiteni Ujkani pret goditjen e tij.

6′ Ferran Torres depërton mirë nga ana e djathtë, por askush nuk iu përgjigj pasimit të tij.

5′ Dani Olmo krijon hapësirë dhe godet nga largësia, por topi përfundon mbi portë.

1′ Starton ndeshja.

Intonohet himni i Kosovës në vendin që nuk e njeh pavarësinë, Spanjë.

Në një lidhje direkte me T7, gazetari Berat Buzhala, që është i pranishëm në stadiumin La Cartuja të Sevillës, ka zbuluar se kanë pasur disa probleme të vogla në stadium, pasi autoritet e Federatës Spanjolle të Futbollit kanë dashur t’ia marrin flamurin e Kosovës.

Numri një i Dardanëve, Lulzim Berisha, ishte ai që insistoi dhe nuk e dorëzoi flamurin.

Klubi gjerman, Werder Bremen i uron fat lojtarit të tyre Milot Rashicës në ndeshjen ndaj Spanjës.

“Paq fat në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Spanjës, Milot Rashica” – shkroi klubi i Werderit në Twitter.

Gjendja në grupin B, aty ku bën pjesë edhe Kosova është kështu. Suedia prin me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë, një fitore dhe një barazim.

Kosova aktualisht gjendet në vendin e fundit me zero pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur. Kujtojmë se vendi i parë shkon direkt në Kampionatin Botëror të vitit 2022, kurse vendi i dytë shkon në play-ff për t’u kualifikuar në Botëror.

Formacionet startuese të ndeshjes Spanjë-Kosovë:

Kosova: Bernard Challandes do të startojë me Ujkanin në portë. Në qendër të mbrojtjes do të jenë Aliti, Dresevic dhe Vojvoda, kurse në krahë Kololli e Hadërgjonaj.

Në mesfushë do të jenë Kryeziu e Halimi, kuese Celina, Muriqi e Rashica do të jenë sulmues. Një ndryshim që vërehet është lënia jashtë e Arbër Zenelit.

Banka rezervë e Kosovës: Halimi, Bekaj, Voca, L.R. Kastrati, Zeneli, Rashani, L.M. Kastrati, Fazliji, Paqarada, Nuhiu, Zhegrova, Hasani.

Spanja: Në portë do të jetë Unai Simon, kurse në mbrojtje do të jenë Llorente, Eric Garcia, Martinez dhe Jordi Alba.

Mesfusha përbëhet nga Pedri, Busquets dhe Koke, kurse Dani Olmo dhe Ferran Torres do ta ndihmojnë Moratan në qendër të sulmit.

Image

Banka rezervë e Spanjës: De Gea, Sanchez, Pedro Porro, Llorente, Canales, Gerard Moreno, Thiago Alcantara, Gaya, Ramos, Rodri, Fabian Ruiz, Oyarzabal.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në twitter, ka reaguar lidhur me ndeshjen e futbollit që do të zhvillohet sot në mes të Spanjës dhe Kosovës.

“Ne të gjithë e mbështesim ekipin Kosovës sot. Lojtarët, flamuri, himni dhe të gjitha. Forca Kosova”, ka shkruar Orlando në twitter.

Kryeministri i Republikës së Kosovës gjithashtu ka shkruar për ndeshjen e sontme që Kosova e luan ndaj Spanjës. Ai u shpreh i ngazëllyer për ekipin kosovar.

“Dy shtete, Kosova dhe Spanja do të luajnë për kualifikimet për Kupën e Botës sonte dhe unë jam i ngazëllyer për ekipin tonë, që përfaqëson Republikën e Kosovës. Mos lejoni asgjë të ju shpërqëndrojë, na bëni krenar dhe ejani në shtëpi fitimtarë”, ka shkruar Kurti.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i ka uruar fat kombëtares së Kosovës në ndeshjen e sotme me Spanjën në Sevilla.

“I dëshiroj Kosovës fat në ndeshjen e saj kundër Spanjës. Gjithmonë një moment krenar kur mund të luash nën hijën e flamurit të shtetit tënd që valvitet në stadium”, ka shkruar Kosnett.

Me fillim nga ora 20:45 Kosova përballet me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.

Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes po përballet me mungesa të rëndësishme.

Kapiteni Amir Rrahmani mungon shkaku i lëndimit, ndërsa portieri i parë i Kosovës, Aro Muric është përjashtuar nga kampi i Kosovës për këto ndeshje. Në mesfushë mungojnë Valon Berisha i lënduar dhe Herolind Shala i prekur nga virusi COVID-19.

Lajm i mirë është rikthimi i Ibrahim Dresevic i cili ishte i suspenduar në ndeshjen ndaj Suedisë.

Kosova vjen nga një humbje e thellë 0:3 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, kurse Spanja shijoi fitoren e parë në këto kualifikime pasi mposhti Gjeorgjinë në sekondat e fundit të ndeshjes. /Gazeta Express/