[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sot rekomandohet ndryshimi i Ligjit për FSK-në



Pas debatit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila do të zhvillohet të martën, subjektet opozitare do të rekomandojnë që të ndryshohet Ligji për FSK-në, në mënyrë që vendi të bëhet me ushtri.

Kjo pasi sipas opozitarëve nuk mund të pritet deri në pafundësi Lista Serbe për ta ndryshuar emrin e FSK-së në Forca të Armatosura, shkruan sot Gazeta Zëri.

Në anën tjetër, pushteti kërkon unitet të spektrit politik në vend për këtë çështje dhe që veprimet në këtë drejtim të merren në koordinim me NATO-n.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, i cili ka parashtruar kërkesën për debat, ka thënë se debati për FSK-në është kërkuar me qëllim që të dihen qëndrimet e deputetëve për çështjen e ushtrisë.

Ai më tej ka thënë se nuk mund të pritet deri në pafundësi për votat e Listës Serbe për bërjen e ushtrisë.

“Fatkeqësisht Lista Serbe e ka komandën në Beograd dhe jemi të vetëdijshëm edhe si popull, edhe si deputetë se ata nuk e kanë vullnetin, të paktën momentalisht, për t’i dhënë mbështetje transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. Por nuk mund të presim deri në pafundësi që Lista Serbe të ketë qëndrim ‘për’. Ne duhet që të gjejmë një formë që t’i krijojmë kapacitetet e nevojshme deri në rrethana kur edhe vetë serbët do të kuptojnë që kjo është në të mirën e tyre”, ka potencuar Haradinaj.

Edhe anëtari tjetër i këtij Komisioni, Zafir Berisha, ka thënë se pret që pas debatit unanimisht të propozohet procedimi i ligjeve për FSK-në në mënyrë që kësaj të fundit t’i ndryshohet mandati..