[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sondazhi: Trump, presidenti me më së paku mbështetje



Donald Trump do të bëhet president të premten, me një shkallë mbështetjeje prej vetëm 40 për qind, që sipas qendrës që ka kryer hulumtimin “CNN/ORC” është më e ulëta e çdo presidenti të kohëve të fundit, si dhe 44 pikë nën atë të presidentit Barack Obama.
Pas një periudhe të trazuar tranzicioni, shkalla e mbështetjes për Donald Trump është shumë më e ulët krahasuar me të paktën 3 paraardhësit e fundit të tij.

Barack Obama hyri në 2009-n në Shtëpinë e Bardhë me një shkallë mbështetjeje prej 84 për qind, Bill Clinton në 1992-shin kishte një shkallë mbështetjeje prej 67 për qind, dhe George W. Bush në 2001-shin me 61 për qind.

Mënyra sesi Donald Trump ka menaxhuar tranzicionin politik ka bërë që te shumica e amerikanëve të rritet dyshimi tek aftësia e presidentit të zgjedhur për të menaxhuar postin.

Rreth 53 për qind e të intervistuarve thonë se, deklaratat e Trumpit dhe veprimet e tij që nga dita e zgjedhjeve ua kanë zbehur besimin tek aftësia për të mënaxhuar Presidencën, ndërsa publiku është i ndarë nëse Trump do të jetë një president i mirë apo i keq.

Mbështetja për zëvendëspresidentin e ardhshëm, Mike Pence ka një diferencë të vogël pozitive: 40 për qind e të anketuarve në favor dhe 37 për qind në disfavor.

Ndërkohë që edhe opinioni për Zonjën e Parë të ardhshme, Melania Trump është i përzierë: 36 për qind në favor, 35 për qind kundër dhe 28 për qind të pasigurt, transmeton tch.

Vajza e Trumpit, Ivanka, e cila po ashtu do të zhvendoset në Uashington, duket se ka një performancë më të mirë sesa i ati, apo Zonja e Parë e ardhshme. Në total, 44 për qind kanë përshtypje të mira për të, 33 për qind përshtypje të këqija dhe 23 për qind thonë se janë të pasigurtë.

CNN, ndërkohë, sqaron se sondazhi është kryer me telefon mes 12 dhe 15 janarit dhe ka një shkallë gabimi prej plus apo minus tre pikësh.