Botapress, 12 Qershor – Në manifestimin e mbajtur në Divjakë në shënimin e 22 vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri institucionet më të larta të shtetit, organizuan manifestimin në nderim të luftës çlirimtare, në Divjakë, te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s, kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999, që shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Në këtë manifestim të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve, thuhet në njoftimin e Zyrës për medie të Kyreministrit të Kosovës, përcjellë Botapress.
Por ajo që ra në sy në këtë manifestim nuk ishte vetëm prania e përbashkët e Presdientes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti. Kjo “treshe” tashmë kanë shënuar një traditë të pjesëmarrjes së përbashkët në manifestimet e ndryshme politike e kulturore në Republikën e Kosovës.
Ajo që ra në sy është fakti se në këtë manifestim u zbuluar edhe pllaka që shënon jo 22 vjetorit të çlirimit të Kosovës por 32 vjetorin e themelit të Lëvizjes Popullore të Kosovës të njohur si LPK.
Dhe në këtë përvjetor mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani e cila, përvec se vazhdon ta quajë veten si Rugoviste, hiqet edhe si politikane e spektrit të djathtë.
Rugovizmi dhe djathtizmi i Vjosa Osmanit dhe LPK-izmi janë koncepte e pikëpamje krejtësisht të ndryshme mes vete që duket se “bashkëjetojnë” dhe ngërthyren vetëm në personalitetin dhe pikëpamjen politike të presidentes Vjosa Osmani, shkruan Botapress.