[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Skandaloze: Kamioni me 8 tonë hashash që u ndalua në Ankona, ishte nisur nga Maqedoni dhe kishte kaluar nëpër Shqipëri



Botapress, 11 shkurt – Kapja e 8 ton marijuanë në portin e Ankonës e nisur nga Shqipëria ka vënë edhe një herë tjetër në pozicion të vështirë policinë shqiptare. Në një reagim të saj mbrëmjen e së shtunës thuhej se organizatorët e trafikut janë nga Maqedonia dhe nuk ka lidhje Shqipëria pa përmendur faktin se kjo sasi rekord droge kishte kaluar “nën hundën” e autoriteteve shqiptare. Çështja është: ku u ngarkua kamioni me 8 ton kanabis?

Burime të rezervuara i thanë lapsi.al se kamioni (TIR) i drejtuar nga një 38 – vjeçar hyri nga Maqedonia në Shqipëri nga dogana e Qafë Thanës. Ai ka qenë i ngarkuar me produkte gipsi (pllakë ose pluhur). Përveç kontrollit të zakonshëm fizik ai është nënshtruar edhe skanimit i cili ka rezultuar i pastër.

Sipas të njëjtave burime të lapsi.al kjo tregon se lënda narkotike është ngarkuar në vendin tonë dhe më pas i “ka shpëtuar” skanerit të portit të Durrësit. Aty ai u imbarkua në tragetin e linjës Durrës – Ankona. Në portin italian u pikas menjëherë lënda narkotike, por autoritetet e GDF e kanë lënë përkohësisht të lirë për të parë lëvizjet e tij. Sipas medieve italiane droga ishte mbuluar vetëm me një shtresë të hollë polisteroli në karroceri. Çështja po hetohet nga 3 prokurori në Itali dhe pritet që shumë shpejt të jepen detaje. /lapsi.al/