Sot është dita e parë zyrtare e punës pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, gjatë të shtunës Lista Serbe publikisht bëri të ditur se janë larguar nga institucionet qeverisëse të Kosovës.
Të njëjtit u larguan edhe nga drejtimi i ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Duke mos përfunduar me kaq, të njëjtin veprim ndërmorën edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Njëzëri ata u larguan nga udhëheqja e këtyre komunave, duke lënë kështu qytetarët e nacionalitetit serb pa drejtues.
E përgjatë gjithë këtyre tri ditëve të kaluara, zhvillimeve edhe më mëdha pati në kuadër të Policisë së Kosovës, një prej institucioneve kryesore të sigurisë në vend.
Zyrtarët policorë të nacionalitetit serb vazhdimisht kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, e së fundi këtyre dorëheqjeve ia bashkuan edhe armët dhe pajisjet e tjera policore.
Ngjashëm vepruan policët në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan, Zubin Potok por edhe në pjesët e tjera të komunave me shumicë serbe.
Madje nga vendet e punës u larguan edhe policët serbë të cilët po funksionon në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Përgjatë gjithë kësaj kohe, nga Qeveria e Kosovës është bërë thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës dhe që të mos ndikohen nga politikat e Beogradit, shkruan Lajmi.
Madje kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme deklaroi se të gjitha këto janë të orkestruara nga Beogradi .
Kryeministri i Kosovës tha se bojkoti nuk është zgjidhje ndërkohë i ftoi qytetarët serb të Kosovës që të mos bien pre e manipulimeve politike.
Madje Kurti tha se situata aktuale është një përpjekje e dobët e Beogradit për të zëvendësuar dialogun me destabilizim.
E sipas Kurtit problemi i serbëve nuk qëndron as tek marrëveshja për targat, apo te fletëqortimet për mos-konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS, por lidhaj e Serbsië me Rusinë dhe koordinimet që kanë mes vete.
“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve as për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ja kanë bërë Evropës, që ja kanë bërë BE-së, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe me presidentin depostik Putinin, dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa ka komentuar veprimet e fundit që lidhen me veriun e vendit.
Ai tha se Serbia është e interesuar të sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje.
“Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje, dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe sigurisë në vendin tonë. Kjo rrugë nuk është e paqes, e bashkëpunimit, e as e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore për çfarë ne angazhohemi. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e aspekt duke qenë njëkohësisht i rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, ka shtuar ai.
E lidhur me këtë kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar vazhdimisht takime me përfaqësues të huaj, por edhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme në vend.
Në ditët që lamë pas pati reagime dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimi Evropian.
Të njëjtët kanë deklaruar se zgjidhja e vetme e të gjitha këtyre çështjeve është dialogu në mes dy vendeve.
Madje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që Kosova menjëherë të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjë për të cilën Kurti disa herë radhazi është deklaruar kundër.
Ai pati deklaruar se në Kosovë s’mund të ketë Asociacion të tillë.
Por pavarësisht këtyre kërkesave, Kurti dje deklaroi hapur se nuk ka prishje të marrëdhënieve me Amerikën.
“Asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. SHBA-të i kemi miq dhe partnerë, pra, miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë aso komunikata që i cituat ju. Pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë, për besë, kjo mënyrë është edhe ofendim për SHBA-të se ato janë vend demokratik. Partneriteti ynë me ta, aleanca jonë me ta është aleancë që bazohet mbi vlera dhe me qëllime me interesa të përbashkëta. Ne e kemi shtyrë një herë vendimin, e kemi shtyrë për një muaj dhe jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit”,theksoi Kurti.
Kurse ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dje bëri të ditur se janë rreth 600 zyrtarë serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës.
Sveçla nuk pati një përgjigje konkrete nëse të njëjtëve do t’u mundësohej sërish kthimi në Policinë e Kosovës. Sipas tij këto janë çështje koordinuese në mes institucioneve të vendit.
Pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve, zyrtarët e lartë të Listës Serbe, të cilët më 5 nëntor vendosën që të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovë, nuk do të mbesin pa paga, sepse paralelisht me pagat e Kosovës ata marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë. Ata kanë përfshirë pagat e marra nga Serbia gjatë deklarimit të pasurisë për vitin 2022 në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës.
Pas të gjitha zhvillimeve në veri, kryeministri Albin Kurti sot do të takohet me liderët e partive opozitare në vend ku pritet të diskutohen këto çështje si dhe të arrihet të gjendet zgjidhja e duhur për vendin.