Edhe pse nuk përfshihen në kategorinë e qytetarëve që po vaksinohet në këtë fazë, disa të rinj, të cilët kryejnë studimet jashtë vendit kanë të drejtë të vaksinohen kundër COVID-19. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vaksina do t’u jepet vetëm atyre studentëve që nga shteti i huaj u vendoset kusht vaksinimi për vijimin e studimeve.
Mbi 141 mijë persona kanë arritur të vaksinohen deri tani kundër COVID-19 në Kosovë, ndërsa interesimi për ta marrë këtë vaksinë vazhdon të jetë shumë i madh. Ndonëse po vazhdon vaksinimi i personave që janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit, vaksinën po arrijnë ta marrin edhe ata që nuk po përfshihen në këtë fazë.
Ndërsa, në vend po vaksinohen edhe studentët të cilët kanë për të udhëtuar jashtë vendit.
Këtë e kanë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Zëdhënës për media në këtë ministri kanë thënë se po vaksinohen studentët të cilët ndjekin studimet në ato shtete që kanë si kusht vaksinimin për vijimin e studimeve.
“Studentet, duke marrë parasysh se i takojnë moshës më të re, do të vaksinohen në fazat tjera të vaksinimit. Vaksinohen me rekomandim të Komitetit për vaksinim vetëm ato raste individuale që ndjekin studime në ndonjë universitet jashtë vendit edhe me kushtin që universiteti apo shteti ku studion ia përcakton si kusht vijimin e studimeve me statusin e të vaksinuarit dhe nëse ai/ajo e vërteton këtë me dëshmi me shkrim”, kanë bërë të ditur nga MSH.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë tutje se nuk ka parregullsi në procesin e vaksinimit dhe se ky proces do të jetë edhe më i mirë se që ka qenë deri tani.
“Listat e vaksinimit i përcakton sistemi përmes platformës E-Kosova, ato mbikëqyren dhe procesi është ka shkon sipas Planit të vaksinimi kundër COVID-19. Është Komiteti dhe ekipi menaxhues i procesit të vaksinimit që e mbikëqyr dhe udhëheq këtë proces dhe i shqyrton edhe ankesat eventuale, qofshin edhe subjektive ato. Nuk ka parregullsi, përkundrazi është një proces normal qe do të vijojë të jetë edhe më i mirë se deri tani”, kanë shtuar zëdhënës për informim në MSH.
Ndërsa, edhe kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu e ka vlerësuar të rregullt procesin e vaksinimit.
Ai ka thënë për gazetën se ndonëse Kosova ka qenë vonë me vaksinimin e qytetarëve, procesi i vaksinimit po shkon mirë.
Mirëpo, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për vaksinimin e një numri të vogël të qytetarëve.
Ai ka thënë se mosvaksinimi po rrezikon shëndetin e qytetarëve.
“Deri tani nuk është investuar në blerjen e vaksinave. Është shqetësuese rrezikimi i shëndetit të qytetarëve. Ne kemi reaguar për këtë por kjo qështje nuk po merret me shumë seriozitet”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë që deri sot mbi 144 mijë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Kosovë ndërsa 22 mijë e 906 persona kanë marrë dozën e dytë.
Kosova vazhdon të qëndroj larg shteteve tjera sa i përket furnizimit me vaksina e vaksinimit të popullsisë./Botapress/