[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Si ia pa sherrin mësimdhënësja nga Kamenica Komunës së Prishtinës



Kishte marrë lajmin se është punësuar si mësimdhënëse në njërën nga shkollat fillore të Prishtinës. Por, gëzimi për Sh.M nga Komuna e Kamenicës nuk zgjati shumë. Komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti e hodhi poshtë vendimin për të punësuarën SH.M., duke i shkëputur marrëdhënien e menjëhershme të punës, me arsyetimin se e kishin punësuar gabimisht. Fatmirësisht Sh.M ka arritur të kthehet në vendin e mëparshëm të punës.

Në Komunën e Prishtinës janë arsyetuar se kanë bërë gabim dhe se SH.M. nuk është e zgjedhura për vendin e punës si mësimdhënëse në këtë komunë.

Më datë 6 dhjetor të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës, në bazë të nenit 8, paragrafi 1 dhe 2 i ligjit të punës Nr 03/L-212, kishte shpallur konkursin për plotësimin e disa vendeve të punës për disa pozita për mësimdhënës të lëmive të ndryshme në Prishtinë.

SH.M (Emër i njohur për redaksinë), kishte marrëdhënie të rregullt të punës në shkollën fillore të ulët “7 Shtatori”, në Krilevë të Kamenicës.

Ajo pas shpalljes së konkursit kishte aplikuar për pozitën e mësimdhënëses së matematikës në Komunën e Prishtinës.

Mësuesja thotë se kishte përgatitjen e duhur profesionale për pozitën në të cilën kishte aplikuar.

Kishte 3 vite përvojë pune, si dhe ishte në përfundim të masterit në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Tetovës.

E me të gjitha këto arritje SH.M. e fitoi edhe vendin e punës. Ajo u tregua e suksesshme në intervistë.

Me datë 20 janar të këtij viti ajo u njoftua edhe zyrtarisht me një vendim zyrtar për themelimin e marrëdhënies së punës si nëpunës publik për pozitën mësimdhënës/e për matematikë në ShFMU- ‘Meto Bajraktari”, në Prishtinë.

Vendimi kishte nënshkrimin dhe vulën e kreut të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sh.M pas marrjes së vendimit për pranimin në punë në Prishtinë, e shkëputi marrëdhënien e punës në Komunën e Kamenicës, atje ku punonte për një kohë të gjatë. Por, një ditë më vonë ajo u njoftua nga Komuna e Prishtinës se kanë bërë gabim në përzgjedhjen e saj për këtë pozitë dhe se vendimi për të anulohet.

Kështu Sh.M. me gabimin e Komunës së Prishtinës për dy ditë humbi edhe vendin e punës që e kishte në komunën e Kamenicës.

“Komuna e Prishtinës më ka thirrur në telefon dhe më ka lajmëruar se jam e përzgjedhura për pozitën e punës për të cilën dhe kam aplikuar. Isha në komunë dhe zyrtarisht e morra vendimin për themelimin e marrëdhënies së punës nga drejtoresha për Arsim e kësaj komune Arbërie Nagavci”, thotë ajo, duke mos e ditur se komuna ia ka huqur me vendimin për të.

“Unë e ndërpreva punën në Kamenicë me mendimin se po e filloj në Prishtinë, por këta të komunës së Prishtinës më thirren në telefon dhe më thanë që është bërë gabim për përzgjedhjen time për këtë vend të punës. Kështu unë u desh që sërish të shkoj në komunën e Kamenicës dhe t’i lutem që të ma kthejnë vendim tim të punës.”, shpjegon mësuesja.

Ajo sot po kërkon përgjigje nga Komuna e Prishtinës, për arsyet që ajo gati e humbi vendin e saj të punës gabimin që komuna e Shpend Ahmetit ka bërë karshi saj.

E Gazeta Express, ka provuar që të marrë një përgjigje nga ana e drejtuesve të komunës së Prishtinës, si nga drejtoresha për Arsim, Arbërie Nagavci, dhe nga Menaxheri i Burimeve Njerëzore në këtë komunë, Avni Zuka, por kontakti me ta ka qenë i pamundur./GazetaExpress/