Si i shpëtoi tragjedisë nëna me foshnjë në duar që mbetën të ngujuar në lift pasi u ndal rryma në Aktash

Një grua e re bashkë me fëmiun e saj sot për gati një orë mbeti e bllokuar në liftin e ndërtesës në lagjen Aktash, pas ndërprerjes së rrymës. Gazeta Insajderi sjell detaje të tmerrit që përjetoi ajo derisa u nxorr nga lifti.

Qytetarët e Kosovës tash e sa ditë po përballen me kufizim të energjisë elektrike dhe ndërprerje të shumë veprimtarive shkaku i reduktimeve. Sot, në lagjen Aktash të kryeqytetit një grua mbeti për rreth një orë e bllokuar në lift bashkë me beben e saj afro 1 vjeçe. Gruaja kishte ardhur për pushime në Kosovë pa informata rreth reduktimeve dhe bllokimit të mundshëm në lift.

Dy nga Gazetaret e Gazetës Insajderi të cilat ishin në vendin e ngjarjes dëgjuan fillimisht të bërtiturat e gruas dhe të qarën e foshnjës. Kishin kaluar 10 minuta që kur energjia elektrike ishte ndalur, kurse ato kishin mbetur brenda.

Gazetaret njoftuan zjarrfikësit të cilët erdhën me vonesë afërsisht 10 minuta, në vendin e ngjarjes në përpjekje për të nxjerrë jashtë edhe gruan edhe fëmijën.

Zjarrfikësi, i cili fillimisht ishte i vetëm hapi derën dhe me ç’rast u kuptua që është e pamundur të dalin jashtë në mënyrë të rregullt.

Gruaja ishte e shqetësuar për fëmijën dhe e njëjta kërkoi që të paktën fëmija të nxirrej jashtë përmes hapësirës së ngushtë që kishte mbetur. Afër tyre tashmë ishte edhe bashkëshorti i cili në bashkëpunim me zjarrfikësin nxori jashtë fëmijën.

Megjithëse zjarrfikësit tentuan në disa forma që të gjejnë zgjidhjen, rreziku ekzistonte pothuajse në secilën lëvizje të mundshme nga mërgimtarja.

Kohë pas kohe e njëjta kërkonte nga bashkëshorti i saj që ta ushqejë fëmijën, pasi ishte e tensionuar nga rasti dhe qante gjatë gjithë kohës.

Pas pak kohe në vendin e ngjarjes arriti edhe ekipi tjetër i zjarrfikësve të cilët bënë përpjekje për ta nxjerrë jashtë gruan, por, pa sukses.

Për fat të mirë, energjia elektrike erdhi dhe lifti shkoi në mënyrë të rregullt poshtë, duke bërë kështu që gruaja të mos pësojë lëndime fizike përpos traumës që përjetoi gjatë kohës sa ishte brenda në lift.

Kujtojmë se pas bisedës që gazetaret kishin me zjarrfikësin, të njëjtat kuptuan se vetëm gjatë ditës së sotme në intervalin kohor të mesditës ishin regjistruar gjithsej edhe 3 raste të tjera.

Ndërkaq, mbrëmjen e kaluar një person në lagjen “Emshir” kishte ngelur për rreth 7 orë në lift./Botapress.info/

ngjashme