Përveç kritikave, akuzave, ofendimeve që zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes i kanë bërë më herët presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe këshilltarit të afërt të tij, Richard Grenell, Albin Kurti si kryeministër i Kosovës vendosi të marrë anë edhe në zgjedhjet që u mbajtën këtë javë, duke u paraqitur gjatë gushtit në Konventën e Demokratëve.
Kandidatja për presidente, Kamala Harris, që u prezantua pikërisht në atë konventë, humbi në zgjedhjet presidenciale.
Qeveria e Kosovës përkrahjen publike të Kurtit po e arsyeton duke thënë se kjo u bë në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, e jo kryeministrit të vendit.
Së fundi, një gjë të tillë e ka thënë Jeton Zulfaj, këshilltari i shefit të Qeverisë:
“Po, në cilësinë e kryetarit të…sepse kryeministri njëheri është edhe kryetar i VV-së, dhe është edhe parti socialdemokrate, pra në këtë cilësi kryeministri nuk ka fshehur le të themi mbështetjen për partitë simotra ku do, edhe në Evropë, edhe në ShBA. Por, si kryeministër i shtetit, ka punuar e ka bashkëpunuar me të gjithë partnerët dhe kështu do të bëjë, sidomos me ShBA-të”.
Si po i ndryshojnë fjalët?
Para disa muajsh, Kurti ishte bërë kryetemë në lidhje me një deklaratë tij për “Evropën në ankth” nga rikthimi i mundshëm i Trump. Kur Trump u rikthye, dhe me t’u konfirmuar zyrtarisht se ka marrë votat e nevojshme për president të ShBA-së, Kurti u lajmërua me një urim të shkurtër.
“Përgëzime President Donald Trump në fitoren tuaj zgjedhore. ShBA është aleat kyç, mik dhe partner i Kosovës dhe ne presim që të punojmë me ju për përparim dhe paqe.” – shkroi ai në “X”.
Anise se Zyra e Kryeministrit, më konkretisht një prej këshilltarëve më të afërt të Kurtit, po deklaron se ai kishte përkrahur demokratët në cilësinë e kreut të VV-së, një komunikatë na tregon ndryshe, transmeton Nacionale.
Në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, jo të Lëvizjes Vetëvendosje, më 20 gusht do të njoftohej për pjesëmarrjen e Kurtit në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike.
Në të njëjtën, askund nuk thuhet se Kurti ndodhej aty në cilësi të kreut të VV-së, por vazhdimisht referohet si kryeministër.
“Mbrëmë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.
Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e kukryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe Presidenten e NDI, Tamara Ëittes, ndër të tjerë.
Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e Neë York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.
Para fjalës së Presidentit Biden, edhe Zëvendës Presidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.” – thuhet në këtë njoftim.