Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.
Fillimisht kontrata për “lot”-in 1 të këtij tenderi është nënshkruar në qershor të vitit 2023
Në këtë kontratë parashihej që të kryheshin punë si: Incizime dhe punët paraprake në terren, dhe aty përfshihej demolimi dhe pastrimi nga objektet ekzistuese në dy anët e rrugës; Gërmimet, ku përfshihej gërmimi i sipërfaqes së aksit kryesor apo rrethrrotullimeve; Ndërtimi i tre mbikalimeve; si dhe ndërtimi i mureve mbrojtëse përgjatë rrugës.
Vlera e kësaj kontrate ka qenë 8 milionë e 447 mijë e 447 euro dhe e kishte fituar kompania “2A”, në konsorcium me kompaninë “Vega”.
Më pas, Ministria ka nënshkruar një aneks-kontratë për këtë “lot”, si punë shtesë.
Në aneks-kontratën e parë parashikohej të kryheshin punë si: Projekti i rrugës; Punë ndërtimore në seksionin e rrugës; Kanalizimi atmosferik; Kanalizimi fekal; Ndriçimi; Ujësjellësi; Si dhe një nënkalim të automjeteve. Aneks-kontrata ishte nënshkruar në gusht të vitit 2024 dhe e ka vlerën e 728 mijë eurove, me të njëjtën kompani.
Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.
Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.
KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me zëvendësministrin Hysen Durmishi, por i njëjti ka kërkuar që të dërgohen pyetjet me shkrim. Pyetjeve me shkrim nuk i është përgjigjur as Durmishi, as Ministria.
Po ashtu, edhe Kushtrim Krivaqa nga kompania “2A” ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim, por e njëjta kompani nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj storje.
Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.
Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.
“… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.
Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).