Shtetet perëndimore janë duke përshpejtuar përpjekjet për të larguar stafin e ambasadave të tyre në Kabul, teksa talibanët kanë hyrë në periferi të kryeqytetit afgan, pasi kanë marrë kontrollin e shumicës së territorit të Afganistanit.
Zyrtarët amerikanë janë cituar të kenë thënë më 15 gusht se diplomatët po evakuohen me helikopterë nga Ambasada amerikane dhe po dërgohen për në aeroport.
Mediat kanë raportuar se helikopterët janë parë duke fluturuar nga Ambasada amerikane, si dhe janë parë edhe automjete të blinduara.
Zyrtarët e Ambasadës amerikane janë udhëzuar që të shkatërrojnë materialet e ndjeshme, por edhe gjëra të tjera, siç është logoja e ambasadës, flamujt amerikanë ose edhe gjëra të tjera që “mund të përdoren për propagandë”, tha CNN, duke cituar një njoftim që i është dërguar punonjësve të ambasadës.