[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shukri Buja: Koalicioni duhet të prishet që t’i hapet rruga zgjedhjeve



Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja ka deklaruar se koalicioni qeverisës duhet të prishet në mënyrë që tu hapet rruga zgjedhjeve dhe proceseve të domosdoshme për Kosovën.

 
Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se demarkacioni do të përdoret vetëm si shkas për të shkuar në zgjedhje, pasi ka shumë arsye tjera.

“Realisht demarkacioni do të jetë një nga shkaqet që do ta çojë vendin në zgjedhje, pasi zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen për shumë arsye tjera. Por kjo do të përdoret si shkas”, ka thënë deputeti Buja.

Sipas tij koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së duhet të prishet që Kosova ti çojë përpara proceset e rëndësishme.

“Koalicioni duhet të prishet, në mënyrë që rruga tu hapet proceseve që janë të domosdoshme për shtetin e Kosovës”, ka shtuar ai për lajmi.net

I pyetur se si do të votojë kur demarkacioni do të shkojë në Kuvend, ai ka thënë se Qeveria ka mundur që shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi ta bëj në shumë forma tjera, por që s’ka qenë e gatshme.

“Kjo formë e demarkimit është jo e mirë. Ka pasur mundësi që kjo të bëhet në forma të ndryshme, por Qeveria s’ka qenë e gatshme”, ka përfunduar Shukri Buja.

Në dy partitë e koalicionit, si nga PDK-ja ashtu edhe nga LDK-ja çdo ditë e më shumë po shtohen zërat që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.