Naim Ismajli pas 14 vitesh si kryetar i Shtimës, në zgjedhjet e 14 nëntorit nuk arriti të dilte fitues përballë kundërkandidatit të tij Qemajl Aliu.
I ftuar në “Frontal” në T7, Ismajli tha se ka pasur katër mandate si kryetar dhe dy mandate si kryeshef.“Ne kemi pas 21 vite, 7 vite kam qenë kryeshef i ekzekutivit dhe 14 vite kryetar komune, gjithësej 21 vite”, tha Ismajli në Frontal.
Ai tha se ka qenë i bindur në fitore, por qytetarët kanë vendosur ndryshe.
“Është normale secili proces zgjedhor ka një epilog i cili vjen si verdikt i qytetarëve. Qytetarët e Shtimës kanë vlerësu që shumicën e votave t’ia japin kundërkandidatit…Kam qenë i bindur në fitore, duke u bazu në punët angazhimet që i kemi bërë”, u shpreh ai tutje.
Gjatë bisedës, Ismajli është pyetur edhe për komentin e kundërkandidatit të tij Qemajl Aliu, i cili pasi fitoi zgjedhjet tha se pas 22 vitesh Shtimja përsëri është e lirë.
Për këso deklaratash, Ismajli i ka kërkuar Aliut që ta kalojë më shpejt adoleshencën politike. Teksa deklaratën e tij e ka quajtur skandaloze.
“Unë po besoj që secili qytetar, madje edhe fëmijë, e dinë se kur është çliru Kosova dhe Shtimja. Nëse vërtetë deklaratat e tilla i nxjerrin ata që nesër do të ulen në ulësen e të parit, cilin mesazh e përçojnë kur qytetarët e dinë se kosova ka pagu shumë për lirinë, sidomos Shtimja, masakra e Reçakut. E kisha ftu kryetarin në ardhje t’I shmanget retorikës së fushatës zgjedhore që ka qenë aspak e kulturuar, ta kalojë adoleshencën politike, sepse nesër do të përfaqëojë komunën e Shtimës. Qyetarët do të kërkojnë që kryetari në deklarimet publike të jetë unifikues dhe jo përçmues dhe s’di se kush mund ta nxjerrë atë deklaratë që Shtimja është çliru në këtë kohë. Atëherë për çka janë ata martirë e dëshmorë, cili është kuptimi i tyre”, ka thënë Ismajli.