[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shtetasve të këtyre vendeve u ndalohet hyrja në SHBA



Aviokompania “Qatar Airways” ka këshilluar pasagjerët që kanë pasur të planifikuar që të udhëtojnë për në SHBA të shtunën (28 janar) nga shtatë vende me shumë myslimane që së fundmi janë ndaluar nga SHBA, që duhet të kenë ose kartën e gjelbër ose vizë diplomatike.

“Shtetasit nga këto vende: Sudani, Libia, Somalia, Siria, Irani, Iraku, Jemeni… mund të udhëtojnë në SHBA vetëm nëse kanë kartën e përhershme të banimit (Green card) apo ndonjë prej vizave të mëposhtme”, thuhet në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e kompanisë.

Në listë janë përfshirë vizat nga qeveritë e huaja, Kombet e Bashkuara, organizatat ndërkombëtare dhe të NATO-s, transmeton Koha.net.

Të premten, presidenti amerikan, Donald Trump lëshoi urdhër ndalimi katër-muajsh për refugjatët nga Siria dhe nga gjashtë vende tjera myslimane, duke thënë se ky veprim do të ndihmojë në mbrojtjen e amerikanëve nga sulmet terroriste.

Pesë pasagjerë nga Iraku dhe një nga Jemeni u ndaluan që të niseshin me fluturimin e “EgyptAir” nga Kajro në New York të shtunën si pasojë e kësaj ndalese.

Të gjashtë pasagjerët, që pritej të arrinin në aeroportin “John F. Kennedy”, u penguan të hipnin në aeroplanin e EgyptAir në aeroportin e Kajros pavarësisht se kishin viza valide të imigrimit.

Ndërkaq, siç raporton Reuters, avio-kompanitë që operojnë në aeroportin e Kajros të dielën kanë marrë kërkesë zyrtare për të penguar poseduesit e vizave të migrimit në SHBA që vijnë nga shtatë shtete me shumicë myslimane që të fluturojnë për në SHBA, ka thënë Hossam Hussein, zyrtar i “EgyptAir”.

Hussein, që është përgjegjës për fluturimet ditore të “EgyptAir” për në New York, ka thënë se autoritetet atje i kanë njoftuar ata pak orë më parë për restrikcionet e reja, transmeton Koha.net.

Ai tha se poseduesit e kartës së gjelbër nga Sudani, Jemeni, Iraku, Irani, Siria, Somalia dhe Libia mund të fluturojnë nëse kanë pasaporta diplomatike apo janë zyrtarë qeveritarë.