Drejtori i Qendres për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ka thënë se vetëm brenda një viti në Kosovë raportohen rreth 2000 raste të dhunës në familje.
Mujku ka thënë se 50% të rasteve janë dhunë fizike, e që bazuar në deklaratat e grave të sulmuara, forma dhe mjetet e përdorura gjatë ushtrimit të dhunës, në shumicën e rasteve mund të përfundojnë me fatalitet.
Ky është shkrimi i plotë:
Vetëm brenda një viti në Kosovë ndodhin apo më mirë të themi raportohen rreth 2000 raste të dhunës në familje.
Rreth 50% të rasteve janë dhunë fizike, e që bazuar në deklaratat e grave të sulmuara, forma dhe mjetet e përdorura gjatë ushtrimit të dhunës, në shumicën e rasteve mund të përfundojnë me fatalitet.
Faktorët dhe arsyeja se pse ndodh një dhunë e tillë fizike nuk mund të justifikohet për asnjë moment. Befasia më e madhe vjen kur pas një sulmi fizik të faktuar, ndodh që ushtruesi i dhunës të lirohet me procedurë të rregullt. Nëse viktima njëherë i “mbijeton” dhunës fizike me siguri se herave tjera nuk do ti mbijetojë.
Rastet e dhunës fizike rrallë herë se raportohen herën e parë pasi që ndodhin, kryesisht rastet paraqiten tek pasi që dhuna kalon në stade të papërballueshme dhe recidivizëm.
Të dhënat për dhunën në familje në përgjithësi përfshijnë zonat urbane, pasi që në zonat rurale Zoti e din se çka ndodh e që nuk kanë qasje dhe informata fare për raportim!/Botapress/