Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.
Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Izmir Zeqiri, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, ka thënë për rtk-në se nga ky shpërthim është e rrezikuar një shtëpi dhe që banorët e saj janë evakuuar.
Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo kompani fton qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.
Ndryshe në dy ditët e fundit, në veri, pati disa incidente të tjera, ku në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës.
Për këtë, Policia ka njoftuar të premten se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin./