[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shpend Ahmeti emëroi jashtëligjshëm nëntë drejtorë shkollash



Komuna e Prishtinës i ka emëruar nëntë drejtorë dhe zëvendësdrejtorë në mënyrë të jashtëligjshme.

Një konstatim të tillë e ka dhënë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, i cili e ka obliguar qeverisjen komunale që t’i anulojë procedurat e rekrutimit të tyre në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit.

Në vendimin e KMPK-së, që e posedon KTV-ja, thuhet se zgjedhja e personave në këto pozita është bërë, pasi ata nuk e kanë poseduar certifikatën se e kanë të përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim e menaxhim, e që ishte një prej kritereve të konkursit të shpallur më 28 qershor të vitit 2016.

Vendimi i këtij këshilli, përveç që e obligon Komunën e Prishtinës, që ta anulojë konkursin, ajo obligohet gjithashtu që të zhvillojë procedurat e rekrutimit në pajtim me dispozitat e legjislacionit për shërbimin civil.

Procedurat e zhvilluara në këtë konkurs, sipas zyrtarëve të këtij këshilli, kanë qenë në kundërshtim me rregulloren që përcakton kriteret për emërime në këto pozita.

Sipas drejtorit Shkëmb Manaj edhe pse procedurat do të duhej të kryheshin brenda 45 ditëve, komuna e Prishtinës rekrutimin e stafit e ka bërë në ditën e 62 të tij, dhe për këtë arsye, sipas tij, konkursi duhet të rishpallet.

Këtë vendim, nuk ka pranuar ta komentojë askush nga zyrtarët komunalë të Prishtinës.