Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ditë më parë ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar për mandatin e ri katërvjeçar.
Ajo që u theksua nga ky kabinet ishte mospërmbushja e premtimeve gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari Bulliqi.
Vetëm dy gra janë vendosur në dy Drejtori të ndryshme. Antoneta Ejupi do të jetë drejtoreshë e Administratës Publike, kurse Bahrie Shatrolli-Mehmeti do të jetë në krye të Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi.
Bulliqi gjatë fushatës pati thënë se do t’i emëroj katër drejtoresha, derisa si zëvendës të tij ka emëruar Marigona Lahun, premtim ky i fundit i përmbushur.
Në kabinet ende mungon emri i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, i cili pritet të bëhet i ditur në ditët në vazhdim.
Pak para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi kishte deklaruar se numri i drejtoreshave të emëruara nga ai do të jetë më i madh se katër, sa ishte në mandatin e fundit.
Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje e ka mposhtur Ekrem Hysenin e LDK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 14 nëntor. Bulliqi ka marrë 20,788 apo 52,06% të votave kundrejt Hysenit, i cili ka grumbulluar 19,141 apo 47,94% të votave.
LDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit i ka fituar 14 mandate në Kuvendin e Podujevës, ndërkaq Lëvizja Vetëvendose 13.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka katër këshilltarë komunalë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tre këshilltarë dhe Balli Kombëtar Demokrat vetëm një.