[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shoqata ‘Familja dhe Shpresa’ nga Klina kërkon që krimet e Serbisë të gjykohen në Gjykatën Speciale  



Shoqata ‘Familja dhe Shpresa’ nga Klina ka deponuar sot një kërkesë në Sekretariatin e Parlamentit të Kosovës me të cilën i drejtohet në të shkruar Kryetarit të Parlamentit, zotëri Kadri Veselit që të iniciojë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Hagë nga parlamenti i vendit, në mënyrë që kjo gjykatë të merret me krimet e luftës që ka bërë Serbia në fshatin Kralan ndaj civilëve të komunës së Klinës gjatë luftës së viteve 1998-1999

 Në Kralan, më 4 Prill 1999 janë ekzekutuar 86 civilë shqiptarë të moshës nga 14 deri 55 vjeçare nga ushtria dhe policia serbe. Vrasësit e tyre edhe pas 17 viteve gjenden të lirë nëpër Serbi.

 Në të njëjtën kohë OJQ ‘Familja dhe Shpresa’ kërkon që Parlamenti i Kosovës të marrë vendim detyrues që ta kushtëzojë dialogun e Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës dhe e deri në detyrimin e Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë dhe dërgimin e përgjegjësve të Serbisë para drejtësisë në këtë gjykatë për të gjitha krimet e tjera të luftës gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

 « Është e pakuptueshme dhe e papranueshme që edhe pas më shumë se 17 viteve askush nuk është dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krimin në Kralan dhe krimet e tjera ndaj civilëve të komunës së Klinës. Ekzekutuesit dhe përgjegjësit e tjerë nga ushtria dhe policia e Serbisë gjenden ende të lirë edhe pas këtyre shumë viteve. Kjo është skandaloze dhe e turpshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe ata që thirren në drejtësi ndërkombëtare, « tha përfaqësuesja e OJQ-së “Familja dhe Shpresa” Zana Bytyqi.

 « E pakuptueshme dhe e pa pranueshme po ashtu është që Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës kanë pranuar të miratojnë një ligj kaq selektiv i cili në formën aktuale nuk merret me krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë. Është koha që qeveritarët dhe deputetët e Kosovës, të të gjitha partive politike, të këndellen e të marrin guximin që të plotësojnë këtë ligj e të mundësojnë që edhe kriminelët e Serbisë të gjykohen në këtë gjykatë për të gjitha krimet e bëra në Kosovë », tha më tutje zonja Bytyqi.

 

 kerkesa-parl-depozuar (1)

PS. (ngjitur mund të gjeni kërkesën e protokoluar në parlament dhe nënshkrimet e familjarëve të viktimave të luftës nga Komuna e Klinës

 

Më poshtë teksti i plotë i kërkesës së dorëzuar dhe protokoluar në sekretariatin e parlamentit të Kosovës :

                                                                                                 

                                               

Për: Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli

Nga: Shoqata ‘Familja dhe Shpresa’ – Përfaqësuesja Zana Bytyqi

Lënda : Kërkesë drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, zotëri Kadri Veseli

Ne të nënshkruarit e më poshtëm – familjarët e 86 viktimave nga Komuna e Klinës të vrarë nga ushtria dhe policia e Serbisë me 4 Prill 1999 dhe familjarët e viktimave të tjera të po kësaj komune të vrarë nga po të njëjtat struktura të regjimit Serb gjatë viteve 1998-1999, kërkojmë nga ju zotëri Kadri Veseli, dhe nga Parlamenti i Kosovës që :

1. Të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale për Kosovën (Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar), të vendosura në Hagë të Holandës dhe të krijuara nga Parlamenti i Kosovës, për të mundësuar që përgjegjësit e strukturave ushtarake dhe policore të Serbisë për masakrën se Kralanit si dhe përgjegjësit e tjerë serbë për vrasjen e civilëve të tjerë nga Komuna e Klinës të gjykohen në këtë gjykatë.

Kërkojmë që ju zotëri Kryetar i Kuvendit të inicioni dhe të mundësoni futjen në rend të ditës të Parlamentit të Kosovës për votim kërkesën tonë për ndryshimin/plotësimin e këtij ligji;

2. Që parlamenti i Kosovës të marrë vendim detyrues (ang. binding) e të kushtëzojë dialogun e qeverisë së Kosovës me qeverinë e Serbisë (i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian) deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës, të më të dashurve tanë dhe të gjithë të tjerëve civilë të Kosovës, për të fatin e të cilëve është përgjegjës vendi fqinjë – Serbia – e deri në detyrimin e Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë dhe dërgimin e përgjegjësve të Serbisë para drejtësisë në këtë gjykatë për të gjitha krimet e luftës së viteve 1998-1999.

nenshkrime 1