[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shkelzen Marevci: Sulmuesi vetëvrasës, viktimë apo vrasës?!



 

Nuk ndodh shpesh që, pas kryerjes së ndonjë vrasjeje, të hamendësojmë për viktimën apo vrasësin. Zakonisht, pas vrasjeve dihet se kush është vrasësi dhe kush viktima, mirëpo, sa u përket vrasjeve nga sulmet vetëvrasëse (terroriste), që janë duke u shkaktuar nga motive të devijuara fetare, dilema se kush është vrasësi apo kush viktima është shpesh e ngritur. Sepse mund të ketë arsye që të konsiderohet një sulmues vetëvrasës (terrorist) në të njëjtën kohë edhe vrasës edhe viktimë? Fakti që, feja është duke u përdorur nga mashtrues dhe manipulues për qëllime të tyre tejet të ulëta dhe shumë të këqija, krijon arsye të mjaftueshme që një sulmues vetëvrasës të konsiderohet veçse vrasës edhe viktimë, sepse baza e motivit të tij për ta ekzekutuar një sulm vetëvrasës është pikërisht shpëlarja e trurit që i bëhet nga mashtruesit dhe manipuluesit që përdorin fenë për qëllime të tyre tejet të ulëta dhe shumë të rrezikshme për shoqërinë. Kur një njeri mendon dhe vepron mbi bazën e mashtrimeve ai duhet të konsiderohet viktimë e mashtrimeve, andaj, çdo veprim i cili derivon nga viktimizimi i mashtrimit (fyerjet, dhuna, vrasjet), duhet të konsiderohen edhe vepra të kryera nga viktimat e mashtrimit.

 

Duke pasur parasysh të lartcekurën, duhet që të veprojmë konform saj, pra, nuk duhet kurrsesi të trajtohen ata që kanë ndarë mendjen të kryejnë sulm vetëvrasës tërësisht vetëm si vrastar, por edhe si viktimë. Duke i trajtuar të tillët edhe si viktima, domosdoshmërisht rrjedh trajtimi adekuat ndaj tyre. Çka duhet të kuptohet me trajtim adekuat? Trajtimi adekuat ndaj atyre që kanë në mendje të jenë sulmues vetëvrasës ka të bëjë me shtimin e masave preventive (zhvillimi i programeve vetëdijesuese, ligjërimet e ndryshme që kanë për qëllim qartësimin e mesazheve dhe argumenteve fetare, duke i ndarë nga devijimi, seancat rehabilituese për të gjithë ata që vërtetohet se kanë elemente radikalizmi në mendimet e tyre, etj.), e kurrsesi shtimi i masave represive. Masat represive shpeshherë mund të shkaktojnë kundërefekt dhe të jenë me pasoja katastrofale për sigurinë e shtetit. Si ka mundësi të frikohet një person , i cili ka vendosur të kryejë sulm vetëvrasës, nga dënimi me vdekje kur ai apriori tashmë ka vendosur që të vdesë nga sulmi vetëvrasës?! Apo si ka mundësi të frikësohen të tillët nga dënimet e tjera më të lehta sesa dënimi me vdekje?

 

Duke u bazuar në atë që kemi potencuar më lart, shteti me organet gjegjëse duhet që të inkorporojnë brenda ligjit penal edhe rehabilitimin  e detyrueshëm për të gjithë ata, te të cilët vërehen elemente radikale, sepse rehabilitimi i mirëfilltë për personat e viktimizuar nga mashtrimet dhe manipulimet në emër të fesë, ndikon në uljen e nivelit të rrezikut shoqëror, si dhe shpëtohen viktimat potenciale nga ky mashtrim. Gjithashtu, duhet të hapet debat në nivel ekspertësh për ta gjetur mundësinë më të mirë për futjen dhe aplikimin e edukatës fetare nëpër shkolla, sepse kjo mundëson që të rinjtë ta mësojnë fenë nga zyrtarë të akredituar dhe kontrolluar nga shteti e jo nga mashtrues dhe manipulues që janë duke vepruar aktualisht në disa raste. Edukata fetare e ligjëruar nga zyrtarë të akredituar dhe kontrolluar nga shteti, do të ndikonte fuqishëm në vetëdijesimin dhe mbrojtjen e të rinjve nga ‘’imam’’ të mbuluar me petkun fetar vetëm për t’i realizuar qëllimet e tyre të këqija.