[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sheshel: Rusia duhet ta mbrojë Kosovën se është edhe ruse



Lideri i radikalëve në Serbi, Vojisllav Sheshel, në një intervistë për televizionin shtetëror serb, ka thënë se Serbia duhet të afrohet aq shumë me Rusinë, sa që kur kjo e fundit të mbrojë Kosovën si pjesë të Serbisë, ta mbrojë si pjesë të Rusisë.

Sheshel ka thënë se shteti serb mund ta mbrojë Kosovën vetëm me ndihmën ruse.

“Vuçiqi po gabon kur po mendon se mund të ulet në dy karrige, se mund të jetë mik i sinqertë i Rusisë dhe se mund ta dërgojë Serbinë në BE. Këto dy gjëra nuk shkojnë së bashku. Serbia duhet që sa më parë të ndajë mendje: ose jemi me Rusinë, për integrim me Rusinë, ose jemi për opsionin perëndimor e më pas i humbim të gjitha”, është shprehur Sheshel.

“Ne Kosovën mund ta ruajmë vetëm me ndihmën ruse, por duhet që në atë mënyrë të integrohemi me Rusinë, që Rusia kur ta mbrojë Kosovën, të mos e mbrojë vetëm pse është serbe, por se është edhe ruse. Kjo duhet të jetë shkalla e integrimit tonë me Rusinë. Afërsisht, ne duam statusin që e ka Bjellorusia”, ka deklaruar Sheshel, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se dëshiron që Rusia të fitojë prapa gjithçka që Rusia ka humbur si pasojë e mashtrimeve të Perëndimit përmes Jelcinit dhe Gorbaqovit, dhe që “Rusia të kthehet në Ballkan”.