Sa më shumë e mendoj, aq më shumë më duket se Big Brother dhe politika janë dy anët e së njëjtës medalje. Në të dyja, ka njerëz që bëjnë gjithçka për të qëndruar sa më gjatë në lojë. Manipulojnë, sulmojnë, krijojnë drama nga hiçi, bërtasin më shumë se të tjerët dhe, në fund, shpërblehen për këtë.
Sa herë kam ndjekur ndonjë epizod të Big Brother, e kam parë të njëjtën skemë: dikush sillet agresivisht, fyen, provokon, bën lojëra të pista dhe çuditërisht, publiku i jep vëmendjen më të madhe. Nuk ndëshkohet për sjelljen e tij – përkundrazi, ndonjëherë del nga shtëpia si “fitues”, me kontrata të reja, famë dhe para. Tani shikoj skenën politike dhe është e njëjta histori. Politikanët nuk merren me ide por me spektakël dhe skandale. Kush bërtet më shumë, kush fyen më rëndë, kush krijon dramën më të madhe – ai fiton më shumë vota.
Çfarë mesazhi po japim?
Nëse e mendon pak më thellë, është e frikshme. Si mund të presim që të rinjtë të zhvillojnë vlera të shëndetshme, kur çdo ditë shohin se arroganca, konfliktet dhe drama artificiale shpërblehen me famë dhe pushtet?
Një i ri sot sheh Big Brother dhe mëson se, nëse do të fitosh, duhet të krijosh tensione. Pastaj sheh politikën dhe sheh të njëjtin realitet. Në të dyja, ka një garë për dominim, ku nuk ka rëndësi e vërteta apo vlerat morale – ka rëndësi kush e luan lojën më mirë. E keqja është se kjo sjellje nuk ndalet vetëm në ekran, por përhapet në gjithë shoqërinë.
E shoh çdo ditë në rrjetet sociale. Njerëzit ndajnë video nga Big Brother apo fjalime nga politikanët dhe zgjedhin anë, bëhen tifozë të zjarrtë të njërës palë. Fillojnë të ofendojnë ata që nuk pajtohen me ta, krijojnë përçarje, madje edhe urrejtje të vërtetë. Kjo nuk është thjesht një lojë më – është bërë një mënyrë të menduari, një mentalitet që po e gërryen shoqërinë tonë.
A është ky realiteti që duam?
Ne duhet të pyesim veten: çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë? Një shoqëri ku kush bërtet më shumë fiton? Ku manipulimi dhe agresioni janë çelësi i suksesit? Ku drama dhe konfliktet janë më të rëndësishme se vlerat dhe puna e ndershme?
Më vjen keq ta pranoj, por realiteti është i tillë. Big Brother dhe politika janë kthyer në pasqyra të njëra-tjetrës, dhe ne jemi ata që i mbajmë gjallë. Ata që e organizojnë Big Brother dhe ata që bëjnë politikë e dinë shumë mirë se publiku kërkon spektakël. Dhe për aq kohë sa ne vazhdojmë ta ndjekim këtë spektakël, ata do të vazhdojnë ta ofrojnë.
Por rrugëdalje ka. Fillon me ne. Me mënyrën se si ne vetë zgjedhim të reagojmë ndaj këtyre fenomeneve. Fillon kur ne nuk pranojmë më të duartrokasim arrogancën, manipulimin dhe dhunën – as në televizion, as në politikë, as në jetën tonë të përditshme.