[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Shatzi”-t investojnë në Kosovë dhe frenojnë emigrimin



“Zviceranët e Kosovës investojnë në atdheun e tyre të vjetër”. Kështu titullohet artikulli i gjatë që ka botuar revista zvicerane Annabelle.ch në numrin e saj më të ri

 

“Kosova bën pjesë në mesin e vendeve më të varfra të Evropës. Më shumë se gjysma e të rinjve duan të emigrojnë, vendi që më së shumti e synojnë është Zvicra. Por ka edhe të tillë që bëjnë rrugën e anasjelltë dhe i realizojnë ëndrrat e tyre në atdheun e tyre të vjetër”, mund të lexohet në hyrje të artikullit, i cili pastaj përmes shembujsh të ndryshëm ofron një tablo reale dhe të larmishme të realitetit të sotëm kosovar, shkruan albinfo.ch.

Rrëfehet se në Kosovë ka dy lloje njerëzish: `schatzi`-t dhe të tjerët. Schatz-it (shaci) jetojnë në Zvicër ose në Gjermani, u dërgojnë familjarëve të tyre për çdo muaj nga 200 euro, vijnë gjatë pushimeve verore me makinat e tyre Audi A6 të marra me leasing për vizitë dhe i quajnë më të dashurit e tyre `Schatzi`, arsye kjo për të cilën pastaj ata kanë marrë këtë emër si llagap. Ndërsa ata që nuk janë shaci, jetojnë përgjatë gjithë vitit në Kosovë dhe ëndërrojnë që të bëhen shaci. Natyrisht kjo ndarje në dy pjesë është një thjeshtëzim, por i cili ka megjithatë një thelb të vërtetë: sipas një sondazhi të bërë nga fondacioni Friedrich-Ebert, më shumë se gjysma e 14 deri 29 vjeçarëve duan të emigrojnë nga Kosova. Dhe, caku më i preferuar i tyre është Zvicra, shkruan annabelle.ch.

Kosovarët e sukseshëm me “prejardhje zvicerane”

Në vazhdim revista i bën një portret Drenusha Shalës, vajzës e cila, ndonëse e rritur në Zvicër, ka marrë rrugën në drejtimin e kundërt: është kthyer në vendin e prindërve të saj, në Kosovë për të investuar.  “…Pastaj ajo vendosi që të braktiste jetën e saj të rregulluar në Zvicër dhe të ktehej në atdheun e saj për të ngritur një ndërmarrje të veten. Kundër vullnetit të babait, siç e thekson ajo. Drenusha udhëheq në Prishtinë një callcenter me 270 të punësuar. Ajo ka vetëm 27 vjet por tashmë është bashkëpronare dhe CEO e kompanisë Baruti. Emri i firmës me kuptimin e tij shkakton paqartësi te shumëkush në Kosovën e dëmtuar nga lufta. Por, Drenusha ka dëshirë të provokojë. Si e re ajo ka ngrënë në mënyrë demonstrative mish derri në sy të prindërve të saj myslimanë.

Pastaj gazetarja merret me punëtorë të “Baruti”-t, gjegjësisht të Drenusha Shalës, shumica e të cilëve kanë një “prejardhje” zvicerane, gjermane ose austriake. Prindërit e tyre kanë qenë “gastarbajterë” ose refugjatë në vendet e përmendura. Arbnore Basha është njëra prej tyre. Ajo është rritur në Gossau të Zvicrës ndërsa menjëherë pas luftës, si 14 vjeçe është kthyer me familjen në Kosovë. Në fillim asaj i kishte munguar shumëçka nga Zvicra por ndërkohë është mësuar: i mungon vetëm buka zvicerane!

Drenusha Shala ndihmon kosovarët të mos marrin rrugën e mërgimit

Vlerësimet thonë se qysh para luftës, një e katërta e kosovarëve jetonte jashtë vendit. Sapo ishin tërhequr trupat serbe, në vitin 1999, shumica u kthyen, përplot shpresë për një fillim të ri, përcjell albinfo.ch. Por sot shumë prej tyre janë të dëshpëruar. Papunësia e të huajve me më shumë se 50 për qind është më e larta në gjithë Evropën. Çdo i katërti jeton me më pak se 1.20 euro në ditë dhe ekonomia pothuaj nuk lëviz nga vendi.

Drenusha Shala e shfrytëzon potencialin që del nga biografitë e përmendura. Në Kosovë jetojnë me mijëra të rinj që e flasin një gjermanishte pothuaj të përsosur dhe punojnë për pak para. Shala u paguan punëtorëve të vet  nga 580 euro në muaj. Kjo mund të duket pak por është në proporcion (me pagat e Kosovës) shumë. Së bashku me kosovarët tjerë nga Zvicra ajo ndihmon vendin e sëmurë të ngrihet në këmbë, transmeton albinfo.ch. Ata krijojnë vende korrekte pune, tranojnë njerëzit dhe i ndalin nga synimi i tyre për të emigruar ilegalisht. Basha për shembull, ajo nga Gossau, nuk e sheh të ardhmen e saj në Zvicër por në Callcenter. Ajo tashmë synon një funksion drejtues aty.

Prishtina bie erë ushqimi të djegur dhe është mbase kryeqyteti më i shëmtuar në Evropë, por paradoksalisht është po ashtu edhe një vend tërheqës

Kafiteritë janë në çdo kohë përplot me të rinj. 95 për qind të kosovarëve janë myslimanë dhe shumica syresh kultivojnë një qasje të lirshme me islamin. Vetëm gra të veçuara bartin mbulesë koke, nëpër bare shërbehet me të madhe alkool dhe flirtohet me zemër.

Lidhur me qasjen ndaj patriotizmit në një vend ku ai është zbehur për shkak të paudhësive të shumta që ndodhen pas luftës, Drenusha Shala ka këtë mendim: “krahasuar metë rinjtë e këtushëm unë jam rritur në kushte shumë të privilegjuara. Tash unë dua t`ua jap atyre një shans”. Pastaj ajo ndalon pak dhe precizon: “kuptohet,  nuk jam Nënë Tereza, unë mendoj për fitimet e mia”.

Pastaj ajo rrëfen për fëmijërinë e saj në Zvicër. Ajo është rritur me sharjet që i bëheshin familjes si abuzues të sistemit social (babai kishte marrë pension invaliditeti si pasojë e traumave nga lufta), pastaj me pllakatin e SVP-së “Shqiptarët e Kosovës  Jo” dhe kryetitujt e gazetave mbi “raserët ballkanikë”. Por nga perspektiva e tashme, Drenusha nuk e sheh veten si viktimë por si njeri me fat, trasnmeton albinfo.ch. “Unë i jam shumë mirënjohëse Zvicrës”, thotë ajo. Ndaj paragjykimeve reagonte me zell dhe guxim. Ishte veçse 21 vjeçe kur kishte themeluar firmën e saj “Baruti” së bashku me miqtë e saj Muhamet Veliu dhe Flamur Shala, të cilët asokohe studionin në Shkollën e Lartë në St. Gallen. Kishin siguruar bashkë 60 mijë franga si kapital fillestar, kishin marrë një zyrë të thatë dhe kishin  punësuar katër veta. Tash, disa vite më vonë, kompania ka një qarkullim vjetor prej 2 milionë frangash.

“Diaspora ka hyrë në ADN-në e kosovarëve”

“Kosovarët e diasporës janë ata që na mbajnë në jetë” citon revista në vazhdim ministrin kosovar të diasporës Valon Murati, i cili mbi këtë bazë e mbështet edhe rëndësinë që ka resori të cilin e udhëheq. Vetëm remitencat e sjella privatisht përbëjnë një të gjashtën e prodhimit të përgjithshëm nacional të Kosovës. Por kjo nuk është ndonjë risi. Paratë nga diaspora kanë hyrë pothuaj në “ADN”-në e Kosovës, shkruan revista, tek citon Muratin duke evokuar kohën kur nën regjimin shtypës të Milosheviçit refugjatët politikë financonin këtu një shtet paralel. Në këtë kapitull të errët të historisë së Kosovës, një shkrimtar me flokë të shprishura dhe me një shall mëmndafshi apelonte për rezistencë të padhunshme kundër serbëve. Ibrahim Rugova ishte Gandi i Kosovës, ai organizoi një shtet paralel për shqiptarët e Kosovës, me mësuesit që jepnin mësim nëpër dhoma private, me mjekë që kuronin pacientët e tyre fshehurazi. Rrogat të shumtën paguheshin nga diaspora. Por jo të gjithë shqiptarët e Kosovës pajtoheshin atëbotë me rebelimin e butë të Rugovës dhe kështu filluan të rrjedhin paratë nga Zvicra për UÇK-në. Kishte sulme mbi pozicionet serbe. Hakmarrja nuk vonoi, në vitin 1998 shpërtheu lufta.

“Fajet i ka diaspora: i ka lazdruar të rinjtë dhe nuk punojnë për 200 euro në muaj”

Më tutje në artikull portretohen edhe shqiptarë tjerë të Kosovës të cilët kanë një “begraund” zviceran. Marjan Ramaj është njëri nga ata. Ai është 51 vjeçar, ka punuar në Lucern dhe kur është kthyer në Kosovë, me vete ka marrë zanatin e elektroteknikut. Tash ai udhëheq një firmë të suksesshme për instalime elektrike me 53 punëtorë. Marjani thotë se kurrë nuk do ta lëshonte Kosovën, transmeton albinfo.ch. Por ai tërheq vërejtjen se diaspora i ka fajet që po i “lazdron” të rinjtë e këtushëm. “Kush është ai që do të pranojë punën për 200 euro në muaj nëse një familjar nga Zvicra ia dërgon 300 euro?!”, pyet ai. Ndërsa Bashkim Zejnullahu ka një kompani të madhe për prodhimin e lëndës djegëse pelletit dhe qeseve prej letre ku ka punësuar 113 veta. “Në Zvicër unë kurrë nuk do të mund të pavarësohesha. Kisha tepër pak para dhe klnow-how. Ndërsa Kosova është parajsë për ndërmarrës. Këtu nuk ka pothuajse fare konkurrencë”, shprehet ai.