[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sharje e fyerje në gjykimin për vrasjen në “Bon Vivant”



Seanca e sotme në rastin e vrasjes në “Bon Vivant” u përshkua me tensione dhe fyerje në mes të avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Mexhid Syla në njërën anë dhe Haxhi Millakut, në anën tjetër.

Çdo gjë filloi në momentin kur avokati i të akuzuarit Sherif Krasniqi, Haxhi Millaku, akuzoi avokatin tjetër mbrojtës të Masar Gërdovcit, Ramiz Krasniqin, për veprime të bëra në kundërshtim me etikën e Odës së Avokatëve.

“Tani u njoftova se avokati Ramiz Krasniqi, i cili e mbron Masar Gërdovcin, pas akuzës së Prokurorisë ka pasur autorizimin e firmosur nga prindi i të mbrojturit tim Rexhep Krasniqi dhe ka realizuar veprimet e tija procedurale duke vizitu të mbrojturin tim në qendrën e paraburgimit. Këtë ma konfirmoi edhe i mbrojturi im gjatë pauzës. Unë dëshiroj që këtë shqetësim t’ia paraqes Gjykatës me propozim që të vendosë se avokati Ramiz Krasniqi ka vepruar në kundërshtim me etikën e Odës së Avokatëve dhe është konflikt i interesit të drejtpërdrejt”, tha Haxhi Millaku.

 Në ndërkohë, avokatët Millaku dhe Krasniqi shkëmbyen disa fjalë, të cilat ishte e vështirë të dëgjoheshin.

“E nderuara kryetare, gjatë fjalës sime pësova një fyerje nga kolegu Ramiz Krasniqi, i cili më ofendoi duke u shprehur: “ma hangsh k…” dhe kërkoj nga Gjykata ta njoftojë Odën e Avokatëve për këtë sjellje dhe të marrë masa drejtpërdrejt nga Gjykata dhe gjithashtu duke mbështetë propozimin e mëhershëm, ta përjashtojë nga mbrojtja e mëtutjeshme sepse këto veprime nuk lejohen sipas ligjit”, theksoi i shqetësuar avokati Millaku.

“Së pari nuk është në edukatën time kjo që thotë Haxhiu por kjo nuk më çudit se ky i tillë është. Sa i përket autorizimit është shumë e vërtetë që e kam pasur një autorizim nga babai i Sherifit gjatë fazës së hetimeve, por nuk e kam ndërmarrë asnjë veprim procedural në drejtim të mbrojtjes së Sherif Krasniqit. Kjo është rrenë e kullume”, reagoi avokati i akuzuar për sharje, Ramiz Krasniqi.

Më tutje, avokati Haxhi Millaku paraqiti shqetësimin se gjatë përfundimit të seancës së kaluar, pas lëshimit të sallës nga trupi gjykues dhe ana e Prokurorisë, i akuzuari për vrasje Masar Gërdovci e kishte kërcënuar atë në prani të mbrojtësit të tij, Mexhid Syla.

“Ti nuk guxon ta përmendësh se kush kujt i ka dërguar njerëz për besë dhe për marrëveshje sipas traditës. Është hera e parë që ti guxon me përmend këtë rrethanë sepse ty nuk të intereson kjo punë”, kishte thënë i akuzuari Gërdovci sipas avokatit Millaku.

Menjëherë pas këtyre fjalëve reagoi avokati tjetër mbrojtës i të akuzuarit Gërdovci, Mexhid Syla.

“Është e vërtetë se i mbrojturi im ka reaguar ashtu si kam reaguar edhe unë lidhur me deklarimin e kolegut se kinse i mbrojturi im paska dërguar njerëz për besë në kontekst të asaj që ky është fajtor. Por edhe nëse familja e Masarit ka kërkuar besë nga familja e tani të ndjerit, nuk është provë që e vërteton fajësinë”, theksoi avokati Syla.

Si rezultat, trupi gjykues dha urdhër që punëtorët e shërbimit korrektues t’i përcjellin të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi para gjithë të tjerëve në këtë sallë, ndërkaq, sa i përket çështjes së sharjes që avokati Haxhi Millaku e ngriti për kolegun e tij Ramiz Krasniqi trupi gjykues do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Në seancën e sotme, dëshmitari i radhës i ftuar nga ana e Prokurorisë ishte Arben Rexhepi, i cili ishte prezent në kohën kur kishte ndodhur vrasja e rojës së lokalit “Bon Vivant”, Rrahman Uka.

Dëshmitari Rexhepi kishte punuar në atë kohë si kamerier në lokalin “Bon Vivant” dhe ishte dëshmitar okular në vrasjen e të ndjerit Rrahman Uka.

Dëshmitari në deklaratat e dhëna në Polici kishte thënë se kishte parë një person me maicë të gjelbër dhe një me jakne të zezë.

“Personin me maicë të gjelbër e keni identifikuar, por personi me jakne të zezë a mundesh me e identifiku sot nëse kthehesh nga gjykatorja?”, ishte pyetja e parashtruar nga avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, për dëshmitarin Rexhepi.

“Po”, u përgjigj dëshmitari, duke bërë me gisht nga i akuzuari Sherif Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin se në bashkëkryerje kanë vrarë Rrahman Ukën, roje e lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor 2014./KALLXO.com/