[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Shaqir Gashi: Aq sa e njoh unë, Dino Asanaj i Amerikës nuk besoj se ka bërë vetëvrasje!



Ai kishte karakter të fortë – Në një moment ra në konflikt me Ricahrd Hollbrookun e më pas u bënë miq – Nuk ka pasë simpati për Ibrahim Rugovën sepse mendonte se vetëm lufta mund ta sjellë lirinë e pavarësinë e Kosovës .

Ekskluzivisht për Botapress flet Shaqir Gashi, një prej miqve të ngushtë të Dino Asanajt gjatë kohës së qëndrimit e veprimit të Asanajt në Amerikë.

 

Ish-shefi i AKP-së Dino Asanaj ka një biografi tjetër të jetës, asaj amerikane. Kështu përderisa në Kosovë iu errësua jeta deri në (vetë)vrasje, në Amerikë Dino Asanaj njihet si një prej aktivistëve më të mëdhenj shqiptarë në Amerikë i cili madje ka shkrirë deri në dollarët e fundit për çështje të Kosovës. “Dino Asanaj është ndër shqiptarët që ka bërë më së shumti për luftën dhe për UÇK-në”.

Kështu e përshkruajnë miqtë e Dino Asanajt.

Shaqir Gashi është një prej shqiptaro-amerikanëve që e ka njohur Dino Asanajn prej vitit 1987, dy vjet pasi Dino Asanaj kishte ardhë në Amerikë. Madje Shaqir Gashi kishte qenë edhe mësit i martesës së parë të Dino Asanajt me Dardane Hencin me prejardhje nga Prishtina.

I kontaktuar nga Botapress, Shaqir Gashi flet me pietet për Dino Asanajn. E përshkruan si njeri me karakter të fortë, I zoti, kishte ide dhe vizione të qarta, krijoi pasuri dhe bëri biznes për një kohë relativisht të shkurtë dhe mbi të gjitha ishte patriot i madh që dha dhë bëri gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Mund të them se në vitet 90-ta Dino Asanaj ishte i pari prej të parëve në aktivitetin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kur shpërtheu lufta në Kosovë ai përveç se ka mbledhur para për UÇK-në, ka dhënë edhe dollarët e tij të fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës” shton Shaqir Gashi për Botapress.

Në bisedë e sipër, Gashi shpalos detaje të shumta të jetës dhe aktivitetit të Dino Asanajt. Madje ai thotë se në një kohë Dino Asanaj ishte edhe kundër emisarit amerikan Richard Holbrooke, por që më bonë u bënë miq të ngushtë. Gashi poashtu shton se Dino Asanaj nuk kishte ndonjë simpati të madhe për presidentin Ibrahim Rugova, sepse mendonte se liria e Kosovës mudn të vinte vetëm me luftë të armatosur e asesi me rezistencë paqësore.

Këtë qëndrim të tij Dino Asanaj e kishte shprehur edhe në një takim në Uashington ku kishte qenë i pranishëm edhe presidenti Ibrahim Rugova.

I pyetur nga Botapress, se aq sa e njihni Dino Asanajn, a besoni se ai mund te ketë bërë vetëvrasje, Shaqir Gashi thotë: “Aspak nuk besoj se Dino Asanaj ka bërë vetëvrasje. Për aq sa e njoh unë, ai ka qenë një njeri me karakter të fortë i cili ka ditur dhe ka pasur guxim e dije që të zgjidhë edhe shumë probleme e të dalë fitues në shumë situata. Unë nuk di çka ka ndodhur atje në Kosovë, por Dino Asanaj i Amerikës nuk është e mundur të ketë bërë vetëvrasje” thotë Shaqir Gashi për Botapress, një prej miqve të ngushtë të Dino Asanajt gjatë kohës sa jetonte dhe vepronte Asanaj në Amerikë.