[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Serbia po e sheh Kosovën si “kafshatë të lehtë”



Qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në raportet me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në politikën ndërkombëtare. Reciprociteti dhe Formimi i Ushtrisë së Kosovës shihet nga analistët si opsion që mund të frenojë ambiciet e Serbisë në Kosovë.

Raportet Kosovë-Serbi nuk po acarohen, pasi kanë qenë të acaruara në vazhdimësi, ka thënë në një prononcim për Telegrafin, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi.

Ai tha se nuk i kujtohet të kenë pasur ndonjëherë raporte të mira serbët dhe shqiptarët e kjo, sipas tij, do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen.

Selimi tha se nuk janë shqiptarët ata që duan luftë me Serbinë, porse Serbia do luftë me shqiptarët.
E, sa i përket takimit të fundit të krerëve të Kosovës me ata të Serbisë, shton se situata e fundit i ka nxjerr në pah dy prononcime interesante.

“Kreu i shtetit të Serbisë kërcënon, pra luftën e përmend si kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës; Thaçi e përmend luftën si frikësim ndaj qytetarëve të Kosovës. Njëri duke kërcënuar e tjetri duke i frikësuar qytetarët e Kosovës e kanë një plan të përbashkët”, ka thënë Selimi për Telegrafin.

Ai shprehet se mund të ketë përshkallëzim të situatës, nëse raportet në fushën e sigurisë janë të disbalancuara.

“Serbia e ka një ushtri kërcënuese dhe të përgatitur për t’u futur në Kosovë, ndërkohë që Kosova dhe institucionet e saj nuk e ndërtojnë ushtrinë e vet. Sikur Kosova ta kishte ushtrinë e saj, të përgatitur, duke i shtuar këtu edhe partneritetin me NATO-n, Serbia do të urtohej dhe nuk do të paraqiste rrezik. Rreziku vjen meqë jemi cak i lehtë, kafshatë e lehtë në sy të Serbisë”, shtoi tutje Selimi.

I pyetur nga Telegrafi se cilët janë faktorët pengues që sot Kosova nuk e ka ushtrinë e vet, ai tha se nuk ka vullnet politik nga ana e Qeverisë. Ndërkaq, shtoi se presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli vazhdojnë të bëjnë lojëra me opinionin publik.

“Nuk ka nevojë që prezenca e Policisë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në veri, të numërohet si ndërhyrje. Paralajmërimi se më 1 ose 15 shkurt do të shembet muri në anën veriore të lumit Ibër, është thjesht paralajmërim për një problem. Me murin ata shohin jo zgjidhje të problemit, por krijim të problemit”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, e gjithë kjo që po ndodh mund të kthehet në favor për Serbinë në rrafshin diplomatik.

“Serbia mund ta përdor këtë fjalor në aspektin diplomatik. Mos të harrojmë, Serbia tashmë është në avantazh për shkak se murin në anën veriore të urës së Ibrit e ka kthyer në një grackë Kosovën. Ndaj, kërkon pretekste për ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës”, ka thënë deputeti i VV-së.

Dren Ajeti, nga Grupi për studime Politike dhe Juridike, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ngjarjet e fundit treguan se është i largët normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, pala kosovare është nisur në këto bisedime me idenë se Serbia do ta njohë Kosovën.

“Kjo nuk do të ndodhë përderisa Serbia mundohet me çdo kusht ta minojë këtë shtetësi”, ka thënë Ajeti.

Sipas tij, provokimi i fundit me trenin rus e mbushi kupën e provokimeve, për çka edhe Qeveria e vendit u detyrua të veprojë.

“Treni simbolizonte atë që Serbia pretendon për Kosovën – se është Jerusalemi i tyre”, thekson Ajeti, duke shtuar se provokimi serb te qytetarët e Kosovës ka krijuar ndjenjën se një incident me pasoja fatale mund të ndodhë. “Problemet e BE-së, kriza e refugjatëve, luftërat në Lindjen e Mesme etj. kanë bërë që shtetet të mos e kenë më prioritet Ballkanin dhe rrjedhimisht fokusi të zhvendoset diku tjetër. Kjo ka bërë që qytetarët të humbin besimin në faktorin ndërkombëtar si garantues i stabilitetit në rajon”.

Për të, provokimet serbe janë drejtuar ashtu që sjellja e palës kosovare të paraqitet si agresion.

“Ndalja e trenit nga njësitë speciale të Policisë është vlerësuar si ndalim i lëvizjes së lirë, si veprim për të mos lejuar kthimin e serbëve në Kosovë etj. Shumë media ndërkombëtare i morën këto mesazhe duke e paraqitur rastin e trenit si ndalje jo nga Policia e një shteti të pavarur dhe sovran, por si ndalje nga forcat e armatosura shqiptare”, thotë ai.

Sa i përket mediave serbe, Ajeti mendon se ato pasqyrojnë realitetin e Kosovës në formën që u konvenon atyre.

“Ka një pajtim në heshtje mes mediumeve serbe që çdo veprim nga pala shqiptare në Kosovë të vlerësohet si shkelje e të drejtave të serbëve. Rasti i fundit ishte i arrestimit në Prizren të personit me simbolet e nacionalistëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë, që në mediat serbe u paraqit si arrestimi i një serbi që kishte vendosur të shëtiste nëpër Prizren”, ka thënë Ajeti.

Avokati nga Mitrovica, Musa Damati, situatën e tashme e ka vlerësuar të sigurt, pasi qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë institucionet relevante të sigurisë. Ai tha se ajo që shtetit të Kosovës i duhet është shndërrimi i FSK-së në Ushtri.

“Stabilizimi real i situatës në Republikën e Kosovës në relacion me shtetin serb do të fillojë atëherë kur negociatorët e ndryshojnë qasjen e formatit të dialogut, duke insistuar në reciprocitet juridik, ekonomik, diplomatik dhe duke e përmbyllur dialogun me një traktat të paqes midis dy shteteve”, ka thënë Damati.

Ndërkaq, sa i përket elitës politike në Serbi, ai tha se retorika e tyre e ka humbur arsyen.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe ky realitet është i patjetërsueshëm. Andaj, retorika e tyre është veç për konsum të brendshëm”, theksoi Damati.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka theksuar se gjatë takimit në Bruksel ka kërkuar nga shteti serb që t’i ndalë provokimet. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme mediat serbe kanë shkruar se Thaçi, Mustafa dhe Veseli po përgatisin një “sulm të rrufeshëm e të papritur në pjesën veriore të Kosovës”.