Aventurat e ish-sekretarit të VV-së, Faton Feka nëpër subjekte të tjera politike për një vend pune, kishte bërë që pozita e sekretarit në degën e Mitrovicës të mbetet boshe.
Feka fillimisht bashkë me Jeton Ujkanin kishin kaluar në AAK për t’u rehatuar me vend pune në PTK. Por, largimi nga kjo parti kishte bërë që VV të mbetej pa një asamblist, i cili fakt ngjalli pushtetin. Brenda natës, Faton Feka ishte rehatuar me vend pune në UNITET, për t’u rikthyer sërish në grupin e asambleistëve të VV-së.
Ndërkohë Kushtrim Zeneli, një ish-përkrahës i kandidatit të PDK-së, Rrustem Musa, duke mos gjetur hapësirë në këtë subjekt, iu kishte bashkuar VV-së në Mitrovicë.
Pozita e lirë e sekretarit në VV, pasi shumica e anëtarëve refuzonin ta merrnin këtë detyrë, bëri që Zeneli ta shfrytëzojë rastin.
Si sekretar, ai kishte nisur një lloj reforme dhe ishte krijuar përshtypja që nuk do të pranojë pozitat e ofruara në Komunë nga kryetari Agim Bahtiri.
Por, kandidatura për asambleist ka bërë që ai të ndryshojë tërësisht duke iu ofruar Bahtirit, për të cilin nuk kishte simpati dikur.
Sipas disa burimeve brenda VV-së, ky ndryshim i madh i Zenelit ka ndodhur pasi që kryetari Bahtiri i ka premtuar që në rast të rizgjedhjes së tij në pozitin e kryetarit, do ta shpërblejë Zenelin me drejtorllëk.