[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

SBASHK-u merr mbështetje nga mësimdhënësit lidhur me ndryshimin e Ligjit për pagat



Kryesia  SBASHK-ut  ka mbajtur takim konsultativ me përfaqësuesit e  kësaj sindikate nga të gjitha Komunat e  Kosovës dhe të Universitetit për të debatuar lidhur me angazhimet për ndryshimin në Projektligjin për pagat, pasi që  ka konstatuar  se Projektligji si i tillë është degradues për profesionin e mësimdhënësit.

Pjesëmarrësit në këtë takim i kanë dhënë mbështetje të fuqishme  angazhimit të Kryetarit dhe kryesisë  që përmes dialogut me përfaqësues të institucioneve  të shtetit të Kosovës  të korrigjohet ky Projektligj dhe që profesioni i mësimdhënësit të mos mbetet i pozicionuar aq ulët, por  të rangohet në vend të merituar.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga të gjitha Komunat e  Kosovës dhe të Universitetit kanë vendosur në këtë takim që nëse  nuk ka reflektim nga Ministritë gjegjëse atëherë SBASHK-u pakënaqësinë do ta shpreh edhe përmes organizimit të veprimeve sindikale , duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme.

Po në këtë takim pjesëmarrësit kanë zhvilluar një debat konstruktiv lidhur me idenë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me BSPK-në. Në këtë mënyrë SBASHK-u që është Federata me e organizuar dhe më e fuqishme në Kosovë  do të mundohet të kontribuojë në forcimin e zërit sindikal me qëllim që sfidat e shumta në arsim dhe në gjithë sektorët tjerë të përballohen me një forcë të unifikuar  sindikale.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga të gjitha nivelet e arsimit të Kosovës kanë marrë vendim që të fillohet me realizimin e agjendës për zgjedhjet e  reja, duke filluar nga shoqatat sindikale në institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe atij Universitar e për të vazhduar me zgjedhjet  në Kuvendet e të tri niveleve arsimor në mënyrë që me forca të reja të shkohet  drejt Kongresit, që do të mbahet në fillim të vitit 2018.