Vendimi i Qeverisë për t’i liruar gratë shtatzëna nga obligimi për t’u paraqitur në punë, po shihet si i ngushtshëm për sektorin e arsimit.
Komunat thonë se nuk janë konsultuar për këtë vendim. SBASHK’u thotë se shkollat nuk kanë kapacitete për krijimin e kushteve që mësimdhënëset shtatzëna të inkuadrohen nga shtëpia gjatë kohës kur nxënësit janë nëpër shkolla. Ministria e Arsimit thotë se gratë mund të zgjedhin vetë nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi apo jo, shkruan Gazeta Express
“Të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësitë që të punojnë nga shtëpia”, thotë pika 7 e vendimit të Qeverisë për masat e reja anti-Covid, të miratuar më 18 prill.
Por, mënyra e implementimit të kësaj pike ka sjellë paqartësi për sektorin e arsimit. Kjo pasi që Ministria e Arsimit e ka një plan, të cilin duket se nuk e ka shpjeguar detajisht tek të gjithë instancat vartëse.
Komunat dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk janë të informuar për zëvendësimin apo jo të mësimdhënëseve shtatzëna, apo edhe për mënyrën e krijimit të mundësive që ato të punojnë nga shtëpia, e Ministria e Arsimit thotë se ato do të zëvendësohen me studentë absolventë të Fakultetit të Edukimit.
Kryetari i SBAShK’ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për Express se ky vendim është marrë pa u analizuar mirë gjërat në sektorin e arsimit.
“Për sektorin e arsimit është sjellë një vendim pa u analizuar mirë gjërat. Një problem shtesë që do të paraqitet është se aty thuhet se duhet t’u krijohen kushte të punojnë nga shtëpia, kjo do të jetë pak e zorshme pasi siç dihet se i tërë sistemi arsimor parauniversitar është kthyer në shkolla dhe koleget tona që janë shtatzëna do ta kenë të vështirë të kyqen, pasi nxënësit janë në shkolla dhe mësimi nga larg për koleget tona shtatzëna është i pamundur pasi nuk kemi ne teknikë të tillë, nuk kemi shkolla që i kanë këto mundësi që në mesin e orëve tjera të mbahet edhe mësimi online”, ka deklaruar Jasharaj.
Jasharaj tha se SBAShK’u i ka dalë në përkrahje këtij vendimi, por që zgjidhja iu mbetet Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive Komunale të Arsimit.
“Ne e kemi mbështetur për hir të kolege tona, sepse me të vërtetë sektori i arsimit është i rrezikuar nga COVID-19 dhe iu mbetet DKA-ve dhe ministres pasi Qeveria e ka sjellë një vendim të tillë, edhe të bëjnë zgjidhje. Ministrja e ka idenë dhe mua më tha se do të bisedojë me DKA’të që brenda shkollës, brenda kapaciteteve të kuadrove nëpër shkolla të zëvendësohen orët e kolegëve, sepse edhe rekrutimi i kuadrove të reja është i pamundur për shkak të procedurave të konkursit dhe viti shkollor përmbyllet”, ka deklaruar Jasharaj.
Se vendimi është i ngutshëm po thonë edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Drejtori i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se është dashur të analizohet më mirë situata, para se të merret ky vendim.
“Së pari është dashur të mblidhen shënimet se sa mësimdhënëse janë shtatzëna, të analizohet situata se a mund të zëvendësohen ato, të sigurohen kuadrot dhe buxheti për zëvendësime. Procesi i rekrutimit të një mësimdhënësi zgjat deri në 42 ditë, e dihet që pas 42 ditëve procesi mësimor 2020-2021 mund të mbarojë. Pra, një vendim i tillë nuk është analizuar mirë. Nxënësit do të pësojnë më së shumti nga ky vendim e në veçanti ata të klasave I dhe II”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se Qeveria duhet të bashkëpunojë me komunat, për vendimet që i prekin ato.
“AKK fton edhe një herë Qeverinë që vendimet që prekin komunat mos të merren pa u konsultuar përgjegjësit komunal, e në këtë rast drejtorët komunal të arsimit dhe që të kemi një bashkëpunim korrekt në të mirë të qytetarit e në këtë rast të nxënësve kosovarë”, ka thënë Ibrahimi.
Por, nga Ministria e Arsimit po thonë ndryshe.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar për Express se pika 7 e vendimit të Qeverisë mund të lexohet edhe ndryshe.
“Është e vërtetë, vendimi e thotë se gratë shtatzëna duhet të lirohen, por ajo duhet të lexohet në atë kuptimin “ju jepet mundësia të lirohen”. Ai është vendim i autoriteteve shëndetësore, neve na mbetet t’i gjejmë modalitetet e respektimit të tij, përndryshe këtë vendim e kanë marrë autoritetet shëndetësore për ruajtjen e shëndetit. Tash nëse një grua shtatzënë për shembull e ka kaluar covidin, ose nuk dëshiron për çfarëdo arsyeje të lirohet, atëherë ajo nuk shkon kundër dëshirës së saj, do të thotë duhet t’i ofrohet mundësia, por vetë gruaja vendos nëse dëshiron ta shfrytëzojë apo jo. Gjithnjë është në vullnetin e njeriut, nuk mund ta largosh dikë me zor nga vendi i punës, nëse thotë dëshiroj të qëndroj”, ka deklaruar Pupovci.
Ai ka thënë se mësimdhënëset shtatzëna do të zëvendësohen nga studentët absolventë në Fakultetin e Edukimit.
“Në arsim punojnë një numër i konsiderueshëm i grave të reja, që mund të jenë në një situatë të tillë dhe atëherë do të shihen mundësitë e zëvendësimit të atyre që do ta shfrytëzojnë një mundësi të tillë. Po shpresojmë që vendimi nuk do të zgjasë shumë, por derisa të zgjasë, ideja është të angazhohen absolventë të Fakultetit të Edukimit, të cilët do të jenë në konsultim me mësimdhënësen në fjalë rreth planifikimit të orëve. Dhe aty ku mësimi organizohet në klasë, këta studentë veprojnë në koordinim me mësimdhënësen. Në ato situata kur mbahet mësimi në distancë, mësimdhënësja mund ta mbajë nga shtëpia, në raste të mbylljes së shkollave apo shkuarjes së klasës në izolim”, ka deklaruar Pupovci.
Ai tha se këta studentë nuk do të paguhen, por në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit, koha gjatë të cilës do t’i zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna, studentëve do t’iu konsiderohet si praktikë.
“Nuk është ideja që të paguhen, sepse është e vështirë të kontraktohen njerëzit me pagesë brenda një periudhe kaq të shkurtër siç është kjo, por kemi një mirëkuptim me Fakultetin e Edukimit që kjo të jetë një formë edhe për studentët që ta realizojnë praktikën. Ka numër të mjaftueshëm, mendoj se më tepër ka studentë që janë absolventë nëpër fakultete, sesa që ka gra që janë shtatzëna nëpër shkolla, në radhët e mësimdhënësve. I kemi pesë fakultete të Edukimit në Kosovë dhe kjo s’do të jetë problem”, ka deklaruar Pupovci.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të martën ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, numrin e saktë të mësimdhënësve shtatzëna që do ta shfrytëzojnë mundësinë e punës nga distanca.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për krijimin e mundësisë së punës nga distanca për gratë shtatzëna, duhet të zbatohet duke u kujdesur për realizimin e programit mësimor dhe realizimin e mësimnxënies së suksesshme nga nxënësit. Sot kemi kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në Institucionet Edukativo Arsimore, që janë deklaruar se do të shfrytëzojnë këtë mundësi. Kemi kontaktuar dhe me Fakultetin e Edukimit për bashkëpunim të shtuar dhe të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që asnjë orë mësimi të mos humbet”, ka shkruar Nagavci në Facebook./Botapress/