Emisari i Qeverisë Gjermane për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka treguar se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë përgatitja për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Gjermani
Sarrazin ka thënë se ideja është që rajoni i Ballkanit Perëndimor të dërgohet në BE dhe se për këtë duhen rezultate konkrete.
Emisari gjerman ka thënë se për të ecur përpara duhet kompromis dhe në disa raste edhe vullnet për koncesione dhe pajtim politik, gjë që thotë se e di që është e vështirë për Kosovën dhe Serbinë.
Sarrazin ka thënë se po largohet i shqetësuar nga Kosova, në mungesë të rezultateve sa i përket Procesit të Berlinit dhe ka dhënë një paralajmërim nëse s’do të ketë lëvizje pozitive deri më 14 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit në Gjermani.
“Kam ardhur sot në Prishtinë dhe do të udhëtojë në rajon, për të përgatitur rezultate konkrete për njerëzit e rajonit. Për të ecur përpara. Për këtë duhet kompromis dhe dëshirë dhe koncesione për pajtim politik, gjë që e di se nuk është e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë. Po largohem i shqetësuar që s’jemi aty ku duhet ende. Nëse s’marrim rezultate të mira deri në Samit më 14 tetor, jam i shqetësuar që s’do të arrihet synimi ynë për të marrë një sinjal të fortë që bashkëpunimi rajonal, tregu rajonal i përbashkët dhe Procesi i Berlinit janë formati në rajon për të sjell rezultate konkrete për qytetarët”, ka thënë Sarrazin.
Ai ka thënë se kërkon nga të gjithë shtetet e rajonit për të pasur rezutlate sa i përket lëvizjes së lirë së njerëzve, mallrave, parasë dhe tregtisë./