[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sami Lushtaku rrëfen momentin e rëndë kur e mori vesh për sulmin ndaj familjes Jashari



Nisin sot në Kosovë ceremonitë përkujtimore të epopesë së UÇK-së që përkojnë me luftën dhe sakrificën e familjes Jashari.

Për këtë ngjarje të trishtë, ish-luftëtari i UÇK-së, Sami Lushtaku tregoi në Euronews Albania momentet e vështira kur mori vesh lajmin për sulmin ndaj Jasharjave.

“Një ditë e dhimbshme, e trishtueshme, por edhe krenare për vetë faktin që nga marsi filloi gjithçka që të rilindë në Kosovë”, u shpreh ai.

“Unë kam qenë shok me Adem Jasharin, isha rrugës duke ardhur nga Gjermania. Nuk e besoj që në jetën time e kam pasur më të vështirë sesa ato ditë”, tha ai më tej.

Sa i përket hetimeve për masakrat në Kosovë, Lushtaku tha se është bërë padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve.

“Gjithçka që ka ndodhur në Kosovë, përgjegjëse është policia dhe shteti i Serbisë”, pohoi ai.

Lushtaku nënvizoi se një pjesë e trupave të shqiptarëve janë nëpër Serbi dhe në lumin Danub.

“Ne kemi kërkuar që të ketë drejtësi, por jo drejtësi selektive. Drejtësia ndërkombëtare sikur e ka më lehtë të merret vetëm më shqiptarët e Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se ‘institucionet e Kosovës janë të dobëta dhe ne jemi të varur nga ndërkombëtarët’./Botapress/