Partitë më të mëdha politike në vend harxhuan miliona euro për reklama, reprezentacion dhe konferenca në fushatën zgjedhore të vitit 2021.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2021.
Legjislacioni në Kosovë obligon partitë politike që të mbajnë shënime të sakta për çdo shpenzim dhe të njëjtat t’i raportojnë pranë departamentit të veçantë në KQZ.
Detaje nga rasti i rëndë në Istog: Axha dyshohet se e dhunoi mbesën e mitur
Nga raportet e dorëzuara në KQZ nga partitë politike, rezulton se më së shumti para në reklama, reprezentacion dhe konferenca në vitin 2021 ka shpenzuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është partia më e madhe në vend.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli partia me më së shumti vota, sipas raportit financiar të vitit 2021 të publikuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për reklama, reprezentacion dhe konferenca ka shpenzuar 75 mijë e 898 euro e 26 centë, pothuajse dyfishin e shpenzimit të vitit paraprak, ku për të njëjtën kategori ka shpenzuar 43 mijë e 841 euro e 38 centë.
Shpenzimet vetëm për stendat e afishimit dhe reklamimet në gazeta, LVV-së i kanë kushtuar 9,688 euro, ndërsa shpenzimet për radio dhe spote televizive i kanë kushtuar 5,183 euro.
Vetëvendosje ka mbajtur të fshehta emrat e mediave të cilave jua ka besuar reklamat për fushatën zgjedhore.
Shumë më pak se Lëvizja Vetëvendosje në reklama, reprezentacion dhe konferenca ka shpenzuar partia e dytë në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Sipas raportit të dorëzuar në KQZ, kjo parti në vitin 2021 ka shpenzuar 12 mijë e 784 euro e 82 cent në reklama, reprezentacion dhe konferenca, ndërsa në vitin 2020 kishte shpenzuar 10 mijë e 848 euro e 70 centë për të njëjtat shërbime.
PDK nuk ka traguar sa para ka shpenzuar vetëm në stendat e afishimit dhe reklamime në gazeta apo edhe në radio dhe spote televizive.
Për dallim nga LVV, PDK nuk i ka mbajtur të fshehta emrat e mediave të cilat kanë marrë para për reklama, spote për fushatë.
Më së shumti para për reklama dhe spote, PDK i ka dhënë mediave si KOHA dhe Klan Kosova nga 20 mijë euro, Kanal 10 ka marrë 15 mijë euro, RTV 21 ka marrë 15 mijë euro, ndërsa agjencia e lajmeve Kosova Press 5 mijë euro.
Më pak para se partia e parë, për reklama dhe reprezentacion kishte shpenzuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila është renditur si partia e tretë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Sipas raportit të dorëzuar në KQZ, kjo parti në vitin 2021, për reklama, reprezentacion dhe konferenca ka harxhuar 18 mijë e 128 euro e 97 centë, ndërsa për vitin 2020 kishte harxhuar 41 mijë e 991 euro e 79 centë.
As LDK nuk ka treguar sa para janë shpenzuar ne stendat e afishimit dhe reklamimit në gazeta e as radio dhe spote televizive.
LDK më së shumti para për reklamim për fushatën zgjedhore ia kishte dhënë mediumit Gazeta Express, 10 mijë euro, për shërbime marketingu 8 mijë euro i ishin dhënë Periskopit ndërsa RTV Dukagjini kishte marr 5 mijë euro.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në vitin 2021, për reklama, reprezentacion dhe konferenca ka shpenzuar 17 mijë e 518 euro e 45 cent, ndërsa për vitin 2020 partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka shpenzuar 20 mijë e 847 eur0.
Ndonëse ka deklaruar se ka shpenzuar mbi 17 mijë euro, në tabelën e paraqitur nga kjo parti kanë thënë se 58 mijë e 558 euro i janë paguar mediumit RTV 21, ndërsa Syri Grup 15 mijë euro.
As AAK nuk ka treguar sa para janë shpenzuar ne stendat e afishimit dhe reklamimit në gazeta e as radio dhe spote televizive.
KQZ ka sqaruar se publikimi i këtyre raporteve është bërë pa u audituar.
“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “
Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”” – thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së.
Këtu mund t’i gjeni raportet financiare të partive politike të deklaruara në KQZ./Botapress.info./