[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Sa merren me aktivitete humanitare deputetët e Kuvendit të Kosovës?



Politikanët e Kosovës shpeshherë vihen në thumb të kritikave për shkak të privilegjeve që kanë, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Veriu.info i ka pyetur deputetët e Kuvendit të Kosovës, se sa merren me aktivitete humanitare.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka treguar se aktivitetet humanitare në të cilat ka marrë pjesë ai janë të shumta, duke treguar edhe raste konkrete. “Aktivitet bamirëse/humanitare në të cilat kam marrë pjesë janë të shumta, si për shembull ky është viti i katërt që unë jap 8 bursa për studentë, kam iniciuar dhe mbështetur ndërtimin e  5 shtëpive për familje me nevojë (skamnore), kam ndihmuar financiarisht  projekte të shumta për rininë dhe sportin,  në kulturë si në botimin librit për Tahir Mehën, realizimin e dokumentarit për gratë e dhunuara gjatë luftës, mbështetjen financiare dhe organizative për shërimin e shumë pacientëve, e në veçanti  më herët për Dr. Arsim Behramajn dhe së fundit për Albina Qelën. Po ashtu kam dhënë mëditjen dhe pagën për komandantin e policisë së Mitrovicës, Nehat Thaqin. Rastet e atyre që u kam ndihmuar në shërim janë aq të shumta dhe e bëjë me vullnet për çdo njeri që ka nevojë, e të cilit kam mundësi t’i ndihmoj”, ka thënë deputeti Bekim Haxhiu, i njohur edhe me nofkën e luftës si Kamishi.

Sa i përket anës humanitare të tij, deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, nuk ka dashur të tregoj raste konkrete, por ka thënë se mundohet të ju ndihmoj të gjithë atyre që ka mundësi.

“Sa i përket aktiviteteve humanitare, unë takoj shumë njerëz që kanë probleme dhe mundohem t’ju ndihmoj  atyre në zgjidhjen e problemeve të tyre për aq sa kam mundësi”, ka thënë Kurteshi i VV-së.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Xhevahize Izmaku, ka thënë se projektet e mirëorganizuara dhe të sinqerta gjithmonë do ta kenë përkrahjen e saj, ani pse ka treguar se nuk është në gjendje shumë të favorshme financiare, për shkak të shumë obligimeve financiare që i ka shpalosur.

“Sa herë që më është kërkuar pjesëmarrja ime financiare jam përgjigjur në mundësitë e mia, por te keni parasysh, se dua kurrë që përkrahja ime në këto aktivitete të ndjeshme të bëhet publike sepse më duket shumë e pasinqertë kjo reklamë! Unë jam deputete dhe kam një pagë, sigurisht që nuk jam biznesmene dhe mbajë familjen time me këtë pagë! Unë si çdo qytetarë kam edhe detyrime tjera familjare si psh, edhe ndaj prindërve pensionist dhe poashtu kam edhe dy kredi të cilat i kam të deklaruara edhe në Agjencinë Kundërkorrupcion! Unë poashtu jam edhe në përfundim të një doktorature e cila kërkon edhe  investime financiare, dhe poashtu që obligimet e një personi publik janë shumë më shumë të kushtueshme në çdo ditë të veprimit tonë publik! Por, projektet humanitare kur janë të mirëorganizuara dhe të sinqerta gjithmonë do të kenë përkrahjen tim!”, ka thënë Izmaku për Veriu.info.

Deputetja e VV-së në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se merret me aktivitete humanitare, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk po siguron mirëqenie dhe barazi për qytetarët e Kosovës, me ç’rast ka përmendur edhe aktivitetet e ditëve të fundit, ku i është bashkuar nismave për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë me veshmbathje dhe ushqim, shkruan Veriu.info.

“Duke pasur parasysh angazhimin tim politik, por poashtu këtë Qeveri e cila nuk siguron mirëqenie dhe barazi për qytetarët, sigurisht që ka pasur raste të shumta kur jam marrë edhe me çështje humanitare. Nuk mund në asnjë mënyrë të anashkalojmë këto aktivitete, t’i bashkohemi këtyre nismave, për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën po jetojnë qytetarët tanë të cilët fatkeqësisht janë lënë në harresë të institucioneve. Rastet e fundit ku kam marrë pjesë në këto aktivitete janë këto të ditëve të fundit, ku i jam bashkuar nismave për tu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë me veshmbathje dhe ushqim”, ka deklaruar deputetja Albulena Haxhiu.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, nuk ka dashur t’i komentoj aktivitetet e tij humanitare, duke thënë se ato e humbin kuptimin nëse bëhen publike.

“Çështjet humanitare mbeten jo publike për mendimin tim, përndryshe humbet esenca”, ka thënë Arben Gashi i LDK-së.

Për dallim prej të tjerëve, deputeti i LDK-së, Agim Aliu, ka treguar se në aspektin humanitar është marrë me një kategori me të veçantë të personave në nevoje.

“Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme humanitare të njerëzve në nevojë, në mënyrë të veçantë në aktivitete për personat me aftësi të kufizuara, raste sociale, etj.”, ka thënë deputeti Aliu./Veriu.info