“Sa herë kam fjetur në rrugë” – Viktimat e dhunës pa strehë të sigurt

“Kur m’i ka prerë flokët, jam mërzitur, por kur djalit të vogël ia ka afruar thikën dhe e ka rrahur, më është këputur shpirti e më është ndalur zemra”.

“Nuk ka pjesë të trupit, ku burri nuk më ka goditur… Sa herë jam alivanosur e jam përgjakur. Sa herë kam fjetur në rrugë, e jam ngritur në këmbë për shkak të djalit të vogël”.

Një grua rreth të 40-tave, nga një qytet i Kosovës, rrëfen kështu për dhunën që ka përjetuar nga bashkëshorti i saj, për më shumë se dhjetë vjet martesë.

Radio Evropa e Lirë i ka vënë emrin Shpresë, për t’ia ruajtur identitetin e vërtetë.

Shpresa, bashkë me djalin e saj, sot jeton në një banesë të vogël, por përjetimet e trishta të së shkuarës e ndjekin pas.

“Gjithmonë gjente shkas për të më rrahur… më rrihte kur nuk i gjente dyert e hapura në shtëpi, më rrihte për ushqim, më rrihte me shqelma në bark dhe me rrip, më gjuante me gjësende të ndryshme”.

Më vështirë, thotë Shpresa, ishte kur vinte i dehur: “më torturonte dhe na largonte nga shtëpia, bashkë me djalin”.

“Shumë herë kemi fjetur në ndonjë qoshe të ndërtesave. Kur ishte ftohtë, një shoqe gjithmonë e linte veturën hapur, sepse e dinte rastin tim”.

Sa herë që e përmend djalin, Shpresa qan.

“Për shkak të djalit, e kam falur dy herë… dhjetë herë, njëzet, tridhjetë… Por, nuk kam mundur gjithë jetën”, vazhdon rrëfimin ajo.

Ditën kur ka vendosur ta raportojë bashkëshortin në polici, pas viteve nën dhunë, Shpresa thotë se ka qenë e përgjakur, me gjak edhe në gojë.

“I kam dalë një veture përpara dhe shoferi më ka dërguar në spital. Aty ka ardhur më pas edhe policia. Nuk kam qenë shumë e vetëdijshme, por më kujtohet që djalin e shtrëngoja”.

Pas disa ditësh nën trajtim, Shpresa, bashkë me djalin, është dërguar në një strehimore për viktimat e dhunës.

“Aty kam parë diellin me sy, kam marrë frymë lirshëm. Ushqim e veshmbathje ka pasur mjaftueshëm”, kujton ajo.

Shpresa thotë se në strehimore ka qëndruar “disa herë” nga “5-6 muaj”

Ajo thotë se familja nuk e ka mbështetur pas braktisjes së bashkëshortit.

“Shumica e grave kthehen te familja e burrit”

Në Kosovë ekzistojnë dhjetë strehimore për viktima të dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, për viktima të trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për fëmijë të keqtrajtuar, të abuzuar, të lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.

Këto strehimore janë vendbanime të përkohshme, ku viktimat mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj.

Por, Fidane Hyseni, drejtoreshë e një qendre të tillë në Mitrovicën e Jugut, thotë se në rastet kur viktima nuk ka zgjidhje, ajo vazhdon të qëndrojë në strehimore edhe pas gjashtë muajsh.

Ajo thotë se ka pasur raste kur viktima i ka kaluar dy vjet atje.

Në strehimoren në Mitrovicë të Jugut, aktualisht, janë 19 viktima gra. Deri më tash këtë vit, në periudha të ndryshme, kanë qëndruar 119 viktima.

“Shumica e grave janë kthyer prapë te familja e burrit [ku janë dhunuar], disa kanë shkuar te prindërit. Te prindërit, numri është më i vogël”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Në të dhjetë strehimoret në Kosovë, vitin e kaluar, janë trajtuar 303 gra dhe 327 fëmijë, ndërsa në periudhën janar-korrik të këtij viti janë trajtuar 258 gra dhe 340 fëmijë, tregojnë të dhënat e këtyre qendrave.

Por, zgjidhja e përhershme e çështjes së vendbanimit të viktimave nuk është bërë ende.

Ku pas strehimores?

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka hartuar një strategji kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, e cila ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Drejtësisë për REL-in thuhet se strategjia synon “zhvillimin e planit të banimit social trevjeçar në komuna” dhe “planifikimin e banimit social për viktimat e dhunës ndaj grave”.

Bëhet e ditur se për këtë çështje, gjatë tre vjetëve të ardhshëm, do të ndahen nga 120 mijë euro.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, njëherësh koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, thotë se strategjia, përveç objekteve të banimit, do të ofrojë edhe mundësi punësimi për viktimat, përmes bashkëpunimit me sektorin privat.

“Disa aktivitete [nga strategjia] bien mbi përgjegjësinë e Ministrisë së Financave dhe kanë të bëjnë me dhënien e subvencioneve kompanive që punësojnë të mbijetuara të dhunës në familje”, shpjegon Shala.

Pikat e strategjisë që tashmë kanë nisur të zbatohen, thotë ajo, kanë të bëjnë me informimin e viktimave dhe të publikut në tërësi për të drejtat e tyre, me shërbimet ku viktimat mund të marrin ndihmë, përfshirë ndihmë juridike falas, me trajtimin e zyrtarëve të rinj policorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, e të tjera.

Demolli: Viktima duhet të ketë strehë

Fillimi i zbatimit të strategjisë është një gjë pozitive, por prioritet duhet të jetë zgjidhja e çështjes së banimit dhe punësimit të viktimave, thonë nga shoqëria civile.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, thotë se janë disa faktorë që i detyrojnë viktimat gra të kthehen te bashkëshortët e tyre dhunues, përfshirë këtu kushtet e rënda ekonomike dhe papunësinë.

“Viktima duhet të ketë një strehë, të qëndrojë në një objekt privat, ku mund t’i shkollojë fëmijët, t’i ushqejë, të jetojë pa dhunë. Strategjinë, në këtë aspekt, nuk e shoh si shumë serioze, sepse nuk dihet ende nëse ka buxhet për zbatimin e saj”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar se sa kushton zbatimi i plotë i kësaj strategjie dhe nëse ka mjete të mjaftueshme për të.

Derisa nuk dihet saktë se kur do të zgjidhet çështja e banimit, Shpresa thotë se mezi paguan qiranë e banesës, ku jeton me djalin. Ajo merr një ndihmë sociale nga shteti dhe, herë pas here, pastron ndonjë shtëpi, për të cilën gjë paguhet. Thotë se, një ditë, mund të detyrohet të kërkojë mundësi për t’u larguar nga shteti, në ndonjë vend perëndimor.

Në Policinë e Kosovës, nga janari deri në korrik të këtij viti janë raportuar 1.570 raste të dhunës në familje – prej tyre, 1.324 viktima gra.

Në bazë të të dhënave del se numri i grave viktima është duke u rritur.

Më 2017 u evidentuan 958 viktima gra të dhunës; më 2021, ky numër u rrit në 1.968.

Strehë e sigurt për to dhe viktima të tjera të dhunës mbeten dhjetë strehimoret – edhe pse vetëm përkohësisht./Botapress.info/

ngjashme