Ambasada e Rusisë në Republikën e Afrikës së Jugut, ka shpërndarë edhe një lajm të rremë për Kosovën.
Në një postim të kësaj ambasade në rrjetin social “Twitter” ata kanë krahasuar bombardimet e NATO-s në ish Jugosllavi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe luftën atje.
Lajmi i rremë i kësaj ambasade për Kosovën nuk është i vetmi, kohë më parë ata kishin keqpërdorur edhe foton ikonë të refugjates shqiptare nga Kosova, Sherife Luta, të cilët e kishin paraqitur rrejshëm si viktimë serbe të bombardimeve të NATO-s.
Ambasada e Rusisë përveç lajmit të rremë ka shpërndarë dhe një foto të rrejshme, duke shkruar për bombardimin e ish Jugosllavisë dhe Kosovën, ata kanë postuar një foto të Irakut.
Ndaj këtyre lajmeve të rrejshme kanë reaguar Profesori dhe eksperti i politikave të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber dhe Profesori universitar i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës Dren Gërguri.
Në postimin në rrjetin social Twitter, Ambasada e Rusisë në Republikën e Afrikës së Jugut, ka shkruar: “Ne morëm parasysh një nga formulimet më të përdorura në media këto ditë për operacionin ushtarak rus “është sulmi më i madh ushtarak konvencional që është parë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Një pyetje: po bombardimet e NATO-s në Jugosllavi? A nuk ishte kjo në Evropë? #Standarde të Dyfishta”.
Ndërsa profesori dhe eksperti i politikave të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber ka demaskuar lajmin e rremë të ambasadës ruse.
“Lajm i rremë: Ambasada ruse pretendon se lufta në Kosovë ishte më e keqe (ose e krahasueshme) me sulmin ndaj Ukrainës duke postuar një foto të luftës në Irak.”Duke e bashkangjitur foton origjinale të fotos nga Iraku të paraqitur nga ambasada ruse si foto nga Kosova”, ka shkruar ai.
“Kjo nuk është foto nga lufta e Kosovës. Drejtojeni propagandën tuaj”, ka thënë tutje ai.