[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rusia, e kënaqur me punën e deritanishme të Presidentit Trump



Rusët përgjithësisht e kanë përshëndetur ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, me shpresën se kjo do të hapë një epokë të re në përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Gjykuar nga reagimet e kësaj jave, biseda e parë telefonike mes presidentëve Trump dhe Putin të shtunën nuk i ka pakësuar aspak këto pritshmëri.

Në programin e përjavshëm “Vjesti Njedjeli”, prezantuesi Dmitry Kisjeljev e quajti bisedën 45-minutëshe “thirrjen telefonike më të shumëpritur në botë.”

“Donald Trump po përmbush premtimet e tij elektorale duke lënë pas trashëgiminë e pavlerë të Obamës,” – tha Kisjeljev gjatë emisionit të tij.

Zyrtarët e Kremlinit janë treguar më të kujdesshëm në komentet e tyre.

Të hënën, zëdhënësi i presidencës Dmitry Peskov e quajti bisedën “konstruktive” dhe tha se dy burrat shfaqën një dëshirë për të zgjidhur “çështjet komplekse përmes dialogut.”

Peskov tha se një bashkëpunim i tillë nuk ishte e mundur në administratën Obama, me të cilën Kremlini pati mosmarrëveshje të ashpra lidhur me aneksimin e Krimesë, mbështetjen ushtarake për udhëheqësin sirian Bashar al-Asad dhe akuzat për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në të vërtetë, pas bisedës telefonike, në deklaratat si nga Kremlini edhe nga Shtëpia e Bardhë u theksua dëshira për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Zbutje e sanksioneve?

Kremlini tha se udhëheqësit shprehën interesim për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut. Nuk pati shenja se dy presidentët diskutuan mbi akuzat se Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.

Ata nuk biseduan mesa duket as mbi sanksionet perëndimore rreth veprimeve të Rusisë në Ukrainë, edhe pse toni i bisedës ngjalli hamendje se sanksionet mund të zbuten shpejt.

Aleatë kryesorë evropianë – në përputhje me politikat e ish-administratës Obama – kanë propozuar heqjen pjesërisht të sanksioneve, vetëm nëse Moska plotëson detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Paqes të Minskut, që synojnë dhënien fund të luftimeve në lindje të Ukrainës mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të heqë sanksionet në këmbim të një pakësimi në arsenalin bërthamor të Rusisë apo të një angazhimi për të luftuar Shtetin Islamik. /VoA