[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rugova tregon pse LDK-ja mungoi në akademinë për Haki Imerin



Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore kushtuar ish aktivistit të partisë Haki Imerit, e cila është mbajtur të mërkurën në fshatin e lindjes Turiqec të Skenderajt.

Haki Imeri, ish aktivist i LDK-së është vrarë në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 1999 në fshatin e tij.

Akademia përkujtimore kushtuar Haki Imerit është mbajtur nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka marrë pjesë aty si dhe ka bërë homazhe të arri i të ndjerit.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, tregoi për KALLXO.com se përse nuk ka qenë pjesëmarrës në akademinë e bashkë partiakut të tij, të ndjerit Imeri.

“Nuk e di kush e ka organizuar dhe nuk kam qenë i ftuar aty se normalisht do të kisha shkuar. Nuk ka qenë ndonjë vendim i LDK-së për organizimin e saj sa e di unë”, tha Rugova.

Rugova tha se LDK-ja çdo vit ka qenë pjesë e akademisë kushtuar ish aktivistit të tyre Haki Imerit.

“Unë besoj se kjo është dashur të jetë pjesë e LDK-së së Skenderajt në mënyrë që ne të mundemi të marrim pjesë aty. Këtë mënyrë ne gjithmonë e kemi praktikuar. Unë shumë mirë e njoh Haki Imerin, dhe e vlerësoj shumë punën e tij, angazhimet e tij. Fatkeqësisht ai sot nuk është në mesin tonë por të them të drejtën unë nuk e kam pasur këtë informatë”, tha Rugova. /KALLXO.com/