[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rrugëtimi i jetës



besart

                                                                        Besart Bejtullahu

 

 

Anija filloi të lëkundej ngadalë. Kapitenit të anijes që ishte para meje i’u mbulua fytyra me një ngjyrë të verdhë i cili uli shikimin dhe u largua.

Nga ana tjetër shoku im Berti po qëndronte pranë dritares së anijes dhe sikur ishte futur në mendime të thella, saqë nuk po dëgjonte thirrjet e mia që po i bëja për të katërten herë. Mbase po ndjente mall për familjen dhe kishte nevojë të qëndroi vetëm. Andaj nuk i’u afrova fare.

Një dritë e vetme që po rrinte ndezur në skajin më të largët të sallës sikur kishte hipnotizuar udhëtarët e anijes sepse të gjithë kishin drejtuar sytë nga llampa dhe nuk po shprehnin asnjë fjalë.

Ndërkohë unë po rrija i ulur duke u munduar të ndërtoj një fluturake prej letre, me të cilën më pas do të godisja Bertin kinse pa dashje me shpresen se ai do të dilte prej atij hutimi që e kishte kapluar. Pastaj të vinte e të bisedonim bashkë ngase rruga më dukej e gjatë sikur s’kishte fund. Bertin e njoha derisa po i paketonim valigjet me të hyrë në anije. Të dy s’është se kishim shumë rroba me vete andaj duke u dhënë të tjerëve përparësi ne mbetëm të fundit.

Nuk isha mësuar të udhëtoj me anije prandaj nuk më zinte vendi-vend. Vetëm mendja të më shkonte se isha mbi ujë filloja të ndjej frikë. Kështu mundohesha që t’iu iki atyre mendimeve. U ngrita ngadalë dhe u drejtova drejt barit të anijes të merrja një pije në mënyrë që të adaptohesha pak me ambientin.

Një këngë e lehtë franceze n’a shoqëronte gjithë kohën. Nuk ishte nga stili i këngëve që unë dëgjoja por pastaj filloi të më pëlqente dhe të ndihesha mirë. Një fëmijë që dukej se ishte rreth dhjetë vjeç po më shikonte i qetë. Kokën e kishte afruar në krahët e një zonje që supozova të ishte nëna e tij. Në dorë mbante një copë letër që e kishte bërë rrotull dhe e mbante me aq kujdes si të ishte me shumë vlerë. Me fytyrë rrumbullake, me flokë ngjyrë floriri dhe me një buzqeshje sa mezi e dalloje e bënte që ai të ishte vogëlushi më i pashëm në anije.

Mendova se mos është duke më pasë lakmi në ujin që po pija vazhdimisht. Kështu i’a zgjata dorën që t’a merrte. Ai tundi kokën në shenjë mohimi dhe nuk pranoi. I dhash një buzqeshje duke i prekur faqet e tij të rrëshqitshme dhe u largova nga salla për të dalë jashtë të merrja pakëz ajër dhe të pres deri sa të zgjohej Berti sepse ai tashmë kishte fjetur.

***

Për një çast u gjenda në qiellin e hapur. Ç’të shihja, s’dukej askund tokë. Frika më ngjallej edhe më shumë. Çfarë i bëra vetit kështu, më mirë do të ishte të rrija i strukur thell diku në anije dhe të mundohesha të bëjë disi një sy gjumë.

Anës kuvertës një burrë i moshuar që dukej se e kishte rrahur jeta, po shikonte detin e pafund dhe pëshpërinte diçka me veten. Kurreshtja më shtyri t’i afrohesha kinse pa dashje dhe të mundohesha t’a dëgjoj se çfarë thoshte. Me të i’u afruar, ende pa më parë se kush jam, burri i thinjur filloi të flas me zë më të lartë.

Mos ki frikë. I ndjen këto lëkundje të anijes? Në të vërtetë janë luhatje të jetës. Jeta është si kjo anije. Nisesh nga një breg për të përfunduar në bregun tjetër. Mos provo t’a përsosësh jetën, është e pamundur, rruga është asisoji nuk t’a jep atë mundësi. Kjo botë është krijuar ngjashëm si ky det, nuk mund të ketë det pa valë prandaj s’mund të ketë jetë pa frikë.

Mos u çudit as nga miku yt sepse kështu janë njerëzit, largohen kur ke nevojë për ta. Prandaj provo t’ia dalësh mbanë vet, mos prit asgjë nga askush ngase edhe zhgënjimi do të jetë më i vogël.

Edhe drita që ishte në fund të sallës, ajo ngjanë me shpresen e njerzëve. Është ajo që i mbanë gjallë dhe i shtyn përpara ndonëse janë të lodhur dhe s’mund të lëvizin nga vendi.

Fëmijët janë dashuria e shpirtit. Ata mbajnë qetësinë e botës. Nëse s’do të ishin ata kjo botë nuk do të ndjente dhimbje dhe kur njeriu nuk ka mëshirë aty mbizotron kaosi.

Sa deshti të vazhdoi edhe më tutje burri i moshuar, papritmas filloi një sirenë alarmi e cila m’i hapi sytë. Atëherë e kuptova që ishte koha të zgjohesha.