[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rrugët e hapura, por ka ngrica në rrugë të Malishevës



Të gjitha rrugët kryesore që lidhin fshatrat me qendrën komunale, janë të hapura, por ka vështirësi në qarkullim për shkak të ngricave dhe për shkak të erërave të forta, të cilat kanë bartë borën në rrugë. Gjatë gjithë natës së mbrëmshme është punuar për pastrimin e rrugëve. Ngrica ka edhe në rrugët magjistrale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka bërë të ditur se është punuar intenzivisht në largimin e borës nga rrugët, por reshjet e vazhdueshme, kanë krijuar vështirësi në qarkullim. “Në mëngjesin e sotshëm, jam në Pagarushë (fshat i thellë malor), dhe rruga kryesore është e hapur, sikur edhe në fshatrat tjerë, ndërsa gjatë natës së mbrëmshme, bashkë me kryetarin Begaj, kemi qëndruar në Berishë, ku gjithashtu rruga është e hapur dhe është punuar edhe gjatë natës në hapjen rrugëve, me gjithë vështirësitë që po sjellin temperaturat e ulëta”, ka bërë të ditur drejtori Morina.

Sipas shërbimeve publike, asnjë rrugë nuk ka qenë e mbyllur dhe asnjë fshat nuk është i izoluar, por vështirësitë janë normale, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe temperaturave të ulëta.

Gjatë ditës së djeshme, me kërkesë të një qytetari, është dërguar një autoambulancë në fshatin Gollubovc, ku është bartë një pacientë për trajtim mjekësor, ndërsa edhe shërbimi i bartjes së pacientëve në dializë është kryer pas asnjë problem, sikur edhe sot që është duke u kryer ky shërbim pa asnjë problem, ndërsa pacientët janë nga vendbanime të ndryshme të komunës.

Gjatë ditës, do t’iu mbajmë të informuar për gjendjen e rrugëve në tërë territorin e Komunës së Malishevës.